OPINION

U rrallun komshinjtë!

Autor: Msc. Skender Berisha

U rrallun komshinjtë, trend që vazhdon edhe më tej! Sot, të dalësh në lagjet tona është bërë mjerim. Thuajse nuk sheh askund fëmijë duke lozur. Politikat e pafavorshme dhe si rezultat mirëqenia e ulët qytetarëve, e ka vë në pikëpyetje rritjen e popullsisë, zhvendosja masive në zona urbane, dhe më pas edhe ikja e qytetarëve në perëndim i ka bërë qytetet e sidomos fshatrat tona sikurse zona të pabanuara. Përkundër faktit që shqiptarët me decenie kanë pasur në vazhdimësi rritje të popullsisë, vendet e regjionit e kanë parë me zili këtë trend. Por, sot është ndryshe! Jemi bërë njësoj. Është e natyrshme se gjeneratat ndryshojnë, dhe secilës gjeneratë ngjarjet që u mbesin në kujtesë e bëjnë nostalgjike të kaluarën e tyre. Por, assesi nuk mundet të thuhet se popullsia nuk po t’kurret, dhe po lë boshllëqet e saj. Shumë lagje dhe regjione të Kosovës po mbesin të varfëra në aspektin numerik të popullsisë. Shkuarjes dhe ardhjes së musafirëve tanimë i ka dalë përballë telefoni dhe teknologjia, por jo vetëm, mund të themi se dinamika e jetës dhe mirëqenia i ka shtyrë qytetarët të preokupohen më tepër për to. Krahas saj, dashuria për atdheun dhe patriotizmi po zbehet dita ditës, e gjithë kjo si rezultat i shumë faktorëve. Duhet më shumë pozitivitet, më shumë punë vullnetare, më shumë afërsi familjare, raportet mes fqinjësisë dhe familjes të forcohen, të ndihmojmë njëri tjetrin, dëshirat për zhvillim të qëndrueshëm të vendit të jenë për të gjithë dhe jo të përkthehen vetëm në interesa personale. Nëse fillojmë të mendojmë për shoqërinë ashtu sikurse për veten, gjithmonë në aspektin pozitiv, zhvillimeve pozitive do t’u krijohet mundësia dhe t’i prekim të gjithë, me këtë rast fqinjët tanë do të fillojnë të shtohen, dhe me të edhe dashuria për vendin do të rritet.

You Might Also Like