Gjilan

U shënua Java Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave me moton: “Të barabartë, në shkollë dhe shoqëri”

Gjilan, 21 shtator 2023 – Për nder të shënimit të Javës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, Gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan, ka organizuar një varg aktivitetesh si shenjë respekti të nxënësve të shkollës për përdoruesit të kësaj gjuhe, po edhe me qëllim të promovimit të një arsimi gjithëpërfshirës.
Nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, ka përgëzuar këtë shkollë për organizimin e këtyre aktiviteteve.
“Për nder të kësaj ditë, Komuna e Gjilanit vitin e kaluar ka angazhuar një interpret të gjuhës së shenjave, i cili do të angazhohet shumë shpejt edhe në faqen e Komunës. Për këtë vit falënderojmë Gjimnazin “Zenel Hajdini”, i cili javën ndërkombëtare të gjuhës së shenjave po e shënon me shumë aktivitete të ndryshme”, ka thënë ajo.
Komunikimi është çelësi i ndërtimit të raporteve njerëzore, që kapërcen kufijtë, i lidh zemrat, e po ashtu mbush boshllëqet në mes nesh. Po, sikur të ju themi se ekziston një gjuhë që nuk mbështetet në fjalë të folura, po e cila posedon fuqinë e jashtëzakonshme për të bashkuar njerëz me prejardhje të ndryshme? Eh, po. Kjo është, pikërisht, gjuha e shenjave të cilën gjatë kësaj jave ne po e shënojmë duke e vënë theksin te rëndësia që ajo ka. Po e bëjmë këtë me anë të shumë aktiviteteve, si:
• Realizimi i prezantimit të nxënësve me moton: “Të barabartë, në shkollë dhe shoqëri”
• Takim i përbashkët diskutimi ndërmjet drejtorit të shkollës, zyrës
së kryetarit, nxënësve dhe mësimdhënësve në kuadër të javës së gjuhës së shenjave 2023, me qëllim të diskutimit të çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me koordinimin e punës, adresimin e problemeve dhe dhënien e rekomandimeve për vitin 2023-2024.
Në takim u zhvillua një diskutim mjaft përmbajtjesor me shkëmbimin e përvojave, adresimin e problemeve dhe nevojave me kontributin e të gjithë pjesëmarrësve: drejtorit, psikologes, nxënësve, mësimdhënësve të shkollës, si dhe nënkryetares së komunës së Gjilanit.
• Lëshimi i video-mesazheve, i realizuar nga mësimdhënësit, me mbështetje të zyrës së kryetarit.

You Might Also Like