Valon Zymberi, drejtor i klubi ka folur në një prononcim për Gazetën SHESHI, duke komentuar shortin, teksa ka shfaqur ambicjet e klubit për të fituar dy trofetë.
“Tashmë po dihet që nuk ka ndeshje të lehta, pasi që kjo është dëshmuar nga skuadrat e Superligës dhe ato të Ligës së Parë. Edhe në kampionat skuadrat janë afër njëra tjetrës me pikë, kështu që favorit apsolut nuk ka. Ndeshja me Ballkanin është një ndeshje derbi dhe do të jetë e vështirë për ne, por edhe nëse do të ishim shortuar me ndonjë skuadër të rangjeve më të ulëta nuk do të ishte e lehtë sepse kushtet e vështira që i kanë në rangjet më të ulëta do ta bënin më të vështirë kalimin tutje”, deklaroi fillimisht Zymberi.
Zymberi shprehet optimist se sfidën ndaj Ballkanit do ta kalojnë, ashtu siç e kishin kaluar me sukses sfidën kampionale.
“Me Ballkanin do të jetë një ndeshje e vështirë, e cila është dëshmuar edhe në ndeshjen e fundit kampionale ku jemi përballur. Megjithatë ne jemi optimist se edhe në këtë ndeshje do ta marrim maksimumin”, shtoi ndër të tjerash.
Objektivi i Dritës për këtë eicion do të jetë triumfi në dy garat, sikurse në kampionat, po ashtu edhe ne DigitAlb Kupë.
Për këtë, Zymberi beson se Drita ka kualitetin dhe kontigjentin e duhur të lojtarëve për ta arritur këtë objektiv.
“Drita për objektiv i ka të gjithë trofetë si çdo herë tjetër edhe pse nuk është e lehtë, por me grupin e lojtarëve që kemi mendoj se kemi kualitet për të garuar në të gjitha frontet”, theksoi ai.
Ai u shpreh gjithashtu i lumtur që me kërkesën e FC Dritës u vendos për tu shtyrë rrethi i dytë i Kupës.
“Ajo që është me rëndësi ka të bëjë me shtyerjen e ndeshjeve për një javë më vonë, e cila u bë me kërkesën e klubit tonë, pasi që skuadrat duhet të kenë kohën e nevojshme për tu përgatitur”, përfundoi Zymberi.
Dueli i rrethit të dytë për DigitAlb Kupën e Kosovës ndërmjet Ballkanit dhe Dritës zhvillohet më 27 nëntor me fillim nga ora 12:30.
/Gazeta Sheshi/