Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ka mbajtur një tubim publik në të cilin ka paraqitur punën e të gjitha dikastereve të qeverisje lokale të Gjilanit dhe ka marrë edhe mendimin e qytetarëve.
Moderatori, Fehmi Sylejmani, që njeherit është edhe këshilltar komunal në Asamblenë Komunale të Gjilanit, tha se debati ka për qëllim që të qet në pah zhvillimet në komunë e Besa Baftiu, kryetare e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, ka thekura se në Gjilan pati premtime, por jo edhe rezultate. Sipas saj, tash e tri vite në Gjilan nuk ka ndryshuar asgjë për të mirë, kurse premtimet dolën të jenë mashtrime. Sipas saj më shumë ikën investitorë se sa që erdhën, nuk ka gra në udhëheqje komunale, nuk u largua lloqi e qytetarët i mbyti bërlloku.
Nevzad Isufi, shef i këshilltarëve të VV-së në Asamblenë Komunale, tha se shumë premtime nuk u realizuan si: biblioteka, salla te Haxhajt, Shkolla e Muzikës, shkolla të tjera, terrene sportive, ura, zonat industriale, lumeje Mirusha e Stanishorka, impianti, ndërtesa e administratës, varrezat dhe se ato që u realizuan janë minore në krahasim me ato që nuk u realizuan.
Krenare Latifi – Kqiku, tha se kthimi i dy drejtorive komunale paraqet problem për buxhetin, Sipas saj pati dështim në kornizat buxhetore, rrugët e përfunduara u riparuan edhe një herë, derisa Arjeta Rexhepi, këshilltare komunale tha se po ngrenë shtat ndërtimet e larta dhe pa leje, ka prona të uzurpuara dhe për to kurrë nuk u mor përgjigje, pastaj pati këmbime selektive të pronave e në Kuvend u bënë shkelje të rregullore të punëve.
Mësuesja Ardhmërie Jakupi, tha se qeveria lokale nuk qau kokën për arsimin, por u angazhua për rehabilitimin e militantëve. Sipas saj shkollat janë pa mjete të konkretizimit, pati përzgjedhje të nxënësve me zarfe, mbi 30 punëtorë me kontrata në vepër e regjistrime jashtë konkursit publik dhe për të gjitha këto Pisa është dëshmia më e mirë. Sipas mjekes, Mirevete Kurteshi, në Gjilan pati një buxhet të varfër shëndetësor, pati mungesë të inspektorëve sanitarë dhe nuk u ndërtua as edhe një shtëpi për të moshuarit.
Aktori Ramadan Kurti, foli për shumë mangësi në kulturë, që tha se është sektor i politizuar, ka monopole, nuk ka një galeri, organizohen ekspozita pa kurrfarë vlere e nga gjashtë ansamble muzikore sa i ka Gjilani përkrahet vetëm njëri. Ai nuk arriti t’a shpalos punën në teatër, ngase problemet në dy sektorët tjerë ishin të mëdha.
Ish- futbollisti Nehat Osmani, tha se në Gjilan u shua drejtoria për Kulturë, Rini e Sporte dhe kultura e sporti u lanë në bisht të listës. Gjilani nuk i shpalli as sportistët më të mirë, kurse nuk u investua as në stadium, ngase dihet se ai është investim i paqëndrueshëm.
Në këtë debat ka zënë vend edhe Lugina e Preshevës, ngase shumë banorë nga kjo anë jetojnë në Gjilan dhe të cilët pa dokumente mbetën as në Kosovë e as në Serbi. Muhmet Rexhepi, nga ajo anë tha se Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është jofunksionale.