Talentja e madhe e klubit të xhudos “Gjilani”, 14-vjeçarja Feroza Abazi, në turneun e madh të xhudos i cili u mbajt në Malin e Zi, është stolisur me medalje argjendi, duke dëshmuar edhe njëherë se kemi të bëjmë me një talent të jashtëzakonshëm. Shumë shpejt pritet që edhe në arenat ndërkombëtare të arrijë rezultate të mira.
Në këtë turnir, Feroza ka mposhtur xhudistet nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, ndërsa në finale ka pësuar disfatë nga xhudistja e Turqisë.
Ky rezultati Ferozës iu bashkangjit edhe dy shoqeve të saj të klubit, Melina Rizahu dhe Isra Halimi, të cilat arritën të marrin medalje bronzi. Me pak fat, ato mund të kishin arritur edhe rezultate më të mira.
“Ishte një turne jashtëzakonisht shumë i fortë me shumë xhudistë të fortë. Jam e kënaqur me këtë medalje dhe meritën e veçantë për sukseset e mia ia dedikoj trajnerit tim dhe familjes sime, të cilët më mbështesin vazhdimisht, krahas obligimeve shkollore dhe atyre të xhudos,” tha Feroza Abazi.
Në këtë turne të madh të xhudos morën pjesë 550 garues nga 52 klube, ndërsa shtetet pjesëmarrëse ishin Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kroacia, Turqia dhe Ukraina.
Trajneri i Klubit të Xhudos “Gjilani”, Ibrahim Hasani, theksoi: “Kjo është një arritje e madhe për klubin tonë, duke dëshmuar se kemi kualitet dhe disiplinë, dhe jemi të barabartë me shumë shtete evropiane. Ne si klub do të vazhdojmë të rritemi dita-ditës.”