Futboll

Zbulohet arsyeja e refuzimit të vizës për Olti Mehmetin e Dritës

Klubi Futbollistik “Drita” ka marrë rrugë drejt Nyonit të Zvicrës për të zhvilluar fazën parakualifikuese në Ligën e Kampionëve. Mirëpo, jo të gjithë futbollistët kanë mundur të udhëtojnë, pasi që njërit prej tyre i është refuzuar viza.

Si për ironi të fatit, njëri ndër futbollistët më të talentuar që ka nxjerrë Drita në vitet e fundit, Olti Mehmeti, ka mbetur në shtëpi.

Prindërit e Oltit përmes një mesazhi dërguar në redaksinë e Gazetës “Sheshi” kanë sqaruar edhe arsyet e refuzimit të vizës.

“Para pesë muajsh ka aplikuar për vizë dhe tash i është refuzuar. Tani thanë se nuk ka patur të drejtë të aplikojë sërish pasi që s’janë bërë gjashtë muaj”, deklaruan prindërit e Oltit, të cilët mbetën të zhgënjyer me këtë vendim.

“Duhet të pajtohemi me fatin që jetojmë në një vend ku prishen ëndrrat e fëmijëve”, thonë ata.

Sigurisht, lajmi ia ka “ngrirë buzëqeshjen” në fytyrë talentit dhe do të jetë një peng për të, megjithatë Olti para vetes ka një karrierë të gjatë dhe mund të ketë mundësi tjera për të shijuar futbollin e arenës ndërkombëtare.

Drita të shtunën përballet me kampionin andorrian, Inter d’Escaldes.

Gjilanasit do të nisen pas pak minutave drejt Zvicrës. /Gazeta Sheshi/

You Might Also Like