Sportet me dorë

Porta e KH Drita sivjet edhe më e sigurt

 Klubi i Hendbollit Drita nga Gjilani sivjet do të jetë më i fortë, sidomos në fazën e mbrojtjes, aq më parë që në këtë ekip sërish është rikthyer portieri Arbër Sylejmani, i cili për një kohë ishte jashtë vendit, në Zvicër.

Ky hendbollist, që dikur ishte i pazëvendësueshëm në portën e Dritës, kishte veshur edhe petkun e përfaqësueses së Kosovës U21 dhe tashti, kur është kthyer nga perëndimi, menjëherë i është bashkëngjitur klubit të tij të zemrës, KH Drita dhe aty ndjehet i lumtur, ngase klubi i tij sivjet ka një synim më të madh se sa vite më parë.

 

“Është një moment kur po luftojmë të gjithë për një, një për të gjithë, kjo formulë ka dhënë suksese të mëdha në klub, duke u renditur në pjesën e epërme të tabelës së Superligës së Hendbollit të Kosovës. Në pranverë do të japim gjithçka nga vetja për pozitën e dytë dhe në Kupën e Kosovës për të vetmin qëllim që kemi daljen në arenën ndërkombëtare, për këtë janë të bindur të gjithë bashkëlojtarët e mi”, ka thënë Sylejmani, i cili nuk lë pa e përmendur kontributin e pamohueshëm të kryetarit Luan Sllamniku, kurse ai është i bindur se do të kenë edhe përkrahjen e “Intelektualëve”.

Klubi i Hendbollit Drita kërkon përkrahjen e qytetarëve, por edhe të sponsorëve, ngase si asnjëherë më parë mund të prek arenën ndërkombëtare, që do të ishte një sukses i madh.
Mbase, Drita e ka shijuar ndjenjën e të luajturit jashtë vendit, ngase së fundi ka pasur një ndeshje miqësore në Shkup, ku është përballë me Klubin e Hendbollit Rinia.

 

You Might Also Like