Kundërshtari i radhës i FC Drita në garat në kuadër të Europa Conference League është ekipi nga Andorra, Inter d’Esclades, ekip ky jo i panjohur për klubin bardh e kaltër dhe për trajnerin Ardian Nuhiu, ngase Drita me këtë ekip ishte përballur edhe më 08 gusht 2020 në Zvicër.
Kjo ndeshje kishte të veçantat e veta, ngase ishte zhvilluar në kohë pandemie dhe nën masa të rrepta sigurie.
Kryelajmi.com, kishte përcjellë këtë ndeshje, në të cilën fillimisht, Dritës i ishte pamundësuar që të luajë me ekipin komplet, ngase ndonjëri nga lojtarët kishte dalë pozitiv me virusin Covid19, derisa edhe lojtarë të tjerë, që ishin parë në fotografi afër në aeroplan ishin pamundësuar që të luajnë në këtë ndeshje.
Më pas, ndeshja ishte shtyrë me arsyetim se organizatori ishte vonuar në plotësimin e dokumentacionit për COVID-19.
Megjithatë, kur ndeshja nisi Drita arriti të mposhtë me rezultat 2:1 Inter Club d’Escaldes të Andorrës. Golat për Dritën i patën shënuar Xhevdet Shabani në minutën e 22-të dhe Hamdi Namani në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, ndërkohë që për ekipin nga Andorra realizoi Emili Garcia në minutën e 29-të të ndeshjes.
Ndeshja Drita – Inter Club d’Escaldes 2:1 është zhvilluar më 8 gusht 2020, në kuadër të raundit preliminar të UEFA Champions League 2020/21. Ajo u luajt në Centre Sportif de Colovray, Nyon, Zvicër.
Drita pritej që të takohej me kampionin e Irlandës së Veriut, Linfield, ndeshje e cila më pas ishte anuluar dhe lojtarët e Dritës ishin karantinuar, kurse fitorja 0:3 u ishte dhënë irlandezëve, duke u bërë një padrejtësi e madhe për ekipin kosovar./kryelajmi.com/.




