Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe kryetari i Saint-Julien, Laurent Mivelle, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e binjakëzimit ndërmjet dy komunave, duke hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet dy komuniteteve.
Në ceremoninë e zhvilluar në Saint-Julien, në rajonin e Gjenevës, dy kryetarët vlerësuan rëndësinë e këtij partneriteti dhe shprehën gatishmërinë që marrëveshja të konkretizohet përmes iniciativave dhe projekteve të përbashkëta.
Kryetari Sokol Haliti theksoi se për Komunën e Vitisë kjo marrëveshje nuk është vetëm një akt formal, por shprehje e vullnetit që lidhjet e krijuara ndërmjet dy komunave të shndërrohen në bashkëpunim të qëndrueshëm institucional dhe në rezultate konkrete për qytetarët.
Në fokus të bashkëpunimit pritet të jenë fusha si arsimi, shëndetësia, kultura, rinia, sporti dhe zhvillimi lokal, krahas shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve, profesionistëve dhe organizatave të të dy komunave.
Edhe kryetari i Saint-Julien, Laurent Mivelle, shprehu përkushtimin për zhvillimin e mëtejshëm të këtij partneriteti dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet dy komuniteteve.
Kryetari Haliti falënderoi për mikpritjen dhe bashkëpunimin, duke shprehur bindjen se binjakëzimi do të krijojë ura të reja ndërmjet Vitisë dhe Saint-Julien dhe do të hapë mundësi për projekte e shkëmbime të përbashkëta në të ardhmen.
Me nënshkrimin e marrëveshjes nga dy kryetarët, Vitia dhe Saint-Julien tashmë zyrtarizojnë partneritetin e tyre, me synimin që miqësia dhe lidhjet e krijuara të shndërrohen në një bashkëpunim afatgjatë në dobi të qytetarëve të të dy komunave.Aziz Zuka



