Në Viti është mbajtur sot ceremonia kryesore e Samitit Botëror të të Rinjve, i cili këtë vit ka mbledhur në këtë komunë të rinj nga vende të ndryshme të botës, ambasadorë, përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare, si dhe personalitete të tjera.
Në ceremoninë e samitit të gjashtë me radhë ka marrë pjesë edhe ish presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në fjalën e saj ka vlerësuar rëndësinë e këtij organizimi dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e partneriteteve dhe promovimin e paqes.
Osmani ka thënë se partneritetet u japin më shumë kapacitet dhe organizimet që bashkojnë të rinjtë nga e gjithë bota krijojnë mundësi për përfitimin e njohurive të reja dhe forcimin e paqes në mbarë globin.
Ajo ka folur edhe për rrugëtimin e popullit të Kosovës dhe sfidat me të cilat është përballur vendi, duke përmendur edhe Serbinë si shtet fqinj që, sipas saj, vazhdon të jetë bllokues i proceseve. Osmani ka përmendur edhe iniciativat që kanë për synim destabilizimin e Kosovës, duke e veçuar rastin e Banjskës.
Sipas saj, mekanizmat që prodhojnë paqe janë fryt i partneriteteve ndërmjet kombeve dhe këto partneritete duhet të promovohen e të mbrohen.
“Të rinjtë janë promotorë të proceseve dhe duhet të jenë faktorë vendimmarrës. Të ndërtojmë partneritete dhe ta forcojmë aleancën”, ka thënë Osmani.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, u ka shprehur mirëseardhje delegacioneve dhe shteteve pjesëmarrëse në samit, duke theksuar se Vitisë i është bërë një nder i veçantë që këtë vit të jetë mikpritëse e këtij organizimi ndërkombëtar.
Haliti ka folur për historikun e Vitisë dhe rrugëtimin e popullit shqiptar në periudha të ndryshme, nga koha e okupimit dhe luftës deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e Samitit Botëror të të Rinjve, ndërsa ka ndarë mirënjohje për udhëheqësit dhe kontribuuesit e këtij eventi.
Në ceremoninë e sotme kanë marrë fjalën edhe ambasadorja Dr. Andrise Bass, organizatore e Samitit të 6-të Rinor për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme, Shefki Hysa, udhëheqës i Misionit për Paqe dhe Prosperitet në Shqipëri, si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave dhe institucioneve pjesëmarrëse.
Samiti Botëror i të Rinjve do t’i vazhdojë punimet edhe nesër dhe pasnesër, me aktivitete dhe diskutime që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, promovimin e paqes dhe fuqizimin e rolit të të rinjve në proceset shoqërore.


