Viti

Kuvendi i Vitisë miratoi deklaratën për ish-krerët e UÇK-së dhe projekt buxhetin per vitet 2027–2029

Kuvendi i Vitisë miratoi deklaratën për ish-krerët e UÇK-së dhe projekt buxhetin per vitet 2027–2029
Në Viti u mbajt mbledhja e nëntë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Vitisë, ku në fillim të seancës u shqyrtua propozim deklarata lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata u mbështet nga të gjitha subjektet politike dhe u miratua me të gjitha votat pro.
Propozimin për përfshirjen e deklaratës në rendin e ditës e bëri kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi, i cili më pas edhe e lexoi atë para asambleistëve.
Në deklaratë, Kuvendi i Komunës së Vitisë, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, shprehu mospajtimin e tij të thellë me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në deklaratë u theksua se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte vazhdimësi e luftës për liri dhe çlirim dhe se ajo kishte lindur në rrethanat e represionit, dhunës, vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës.
Kuvendi shprehu solidaritet të plotë me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, si dhe me të gjithë ata që këtë proces e kishin përjetuar me dhimbje dhe shqetësim.
Duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës”, me të cilin ishte shpallur vendimi, Kuvendi i Komunës së Vitisë përcolli mesazhin: “JO NË EMRIN TIM!”.
Sipas deklaratës, ky qëndrim shpreh mospajtimin me dënimin e shqiptuar dhe të drejtën e qytetarëve për të kërkuar drejtësi dhe trajtim të drejtë për ish-krerët e UÇK-së.
Në vazhdim të mbledhjes, një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte shqyrtimi i Projektbuxhetit të Komunës së Vitisë për vitet 2027–2029.
Projektbuxhetin e prezantoi drejtoresha për Financa dhe Ekonomi, Milihate Ajeti, e cila bëri të ditur se përgatitja e buxhetit për periudhën 2027–2029 kishte filluar në muajin maj të këtij viti, në përputhje me Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.
Ajeti tha se gjatë kësaj periudhe ishin përcjellë dy qarkore buxhetore, e para më 15 maj dhe e dyta më 14 gusht.
Sipas prezantimit, buxheti komunal ishte paraqitur në pesë kategori ekonomike të shpenzimeve, në pajtim me rregullat e Thesarit: paga dhe shtesa, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, subvencione dhe transfere, si dhe shpenzime kapitale.
Të hyrat dhe shpenzimet e Komunës së Vitisë për vitin 2027, sipas Projektbuxhetit të prezantuar, kapnin shumën prej 18,388,643 euro. Projekt buxheti u miratua me shumicën e votave ku pati edhe kundër.
Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u miratuan edhe propozim vendimi për shfuqizimin e një vendimi të mëhershëm lidhur me kthimin e mjeteve buxhetore në kategorinë e investimeve kapitale, raporti për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në Komunën e Vitisë, si dhe informata për përfundimin e vitit shkollor 2025–2026 dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2026–2027.Aziz Zuka

You Might Also Like