Shkruan: Kushtrim Kadriu
Kuvendi Komunal i Gjilanit, tash e dhjetë muaj, vazhdon të mbetet i pakompletuar, shkas një mëditjeje prej 200 eurosh. Nga kuvendi më aktiv në nivel të Republikës, është shndërruar në një kuvend të pakonsoliduar.
Kryesia e Kuvendit, KPF-ja dhe komitetet e tjera ende nuk po arrijnë të konstituohen ligjërisht, ashtu siç ka kërkuar MAPL-ja. Dy partitë, LVV-ja dhe LDK-ja, nuk po arrijnë marrëveshje për përfaqësimin gjinor në Kryesinë e Kuvendit. Njëra i kërkon tjetrës ta largojë një anëtare, ndërsa pala tjetër kërkon largimin e një burri dhe zëvendësimin e tij me një grua.
Nuk më pëlqeu as debati i zhvilluar në seancën e fundit, ku disa delegatë e delegate e shndërruan Kuvendin në hapësirë për shprehjen e mllefeve dhe problemeve të tyre partiake. Nuk ka asnjë arsye që qytetarët dhe anëtarët e Kuvendit të detyrohen t’i dëgjojnë telashet e brendshme të partive politike. Kuvendi nuk është skenë për shfaqje dhe përplasje partiake, por institucion ku duhet të trajtohen interesat e qytetarëve të Gjilanit.
Disa madje e zhvendosën debatin te feminizmi, duke pretenduar se gratë po diskriminohen. Mirëpo, analiza e listës zgjedhore tregon një realitet tjetër: me përjashtim të Ardita Ukshinit, Florina Jerliut e pak të tjera, të cilat kanë hyrë me votat e tyre, anëtaret e tjera kanë hyrë në Kuvend përmes kuotës gjinore, duke lënë jashtë kandidatë burra që kishin marrë më shumë vota. Pra, gratë nuk janë diskriminuar në këtë proces; përkundrazi, kuota gjinore ua ka garantuar përfaqësimin. Madje, edhe kryetarja e Kuvendit e ka fituar mandatin përmes kuotës gjinore dhe jo në bazë të numrit të votave të marra drejtpërdrejt nga qytetarët.
Është koha që partitë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre brenda strukturave partiake dhe të mos e pengoni funksionimin e Kuvendit Komunal të Gjilanit.




