Nën organizimin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z.Alban Hyseni, Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka organizuar punëtori me drejtorët e institucioneve arsimore, përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve dhe Këshillit të Nxënësve, bashkëpunëtorët profesionalë dhe akterë të tjerë relevantë të arsimit.
Qëllimi i kësaj Rregulloreje është përcaktimi i parimeve, rregullave dhe përgjegjësive që lidhen me organizimin dhe funksionimin e institucioneve edukativo-arsimore publike të arsimit parauniversitar në Komunën e Gjilanit, si dhe rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet stafit të institucioneve arsimore, nxënësve dhe prindërve.
Draft-Rregullorja synon të përcaktojë parimet themelore të funksionimit të procesit arsimor, si dhe të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, me qëllim të krijimit të një mjedisi të sigurt, bashkëpunues dhe të orientuar drejt ngritjes së cilësisë në arsim.
Gjatë punëtorisë, të pranishmit dhanë komente dhe sugjerime konkrete në funksion të procesit të hartimit të draft-Rregullores, duke kontribuar që përmbajtja e saj të reflektojë nevojat reale të organizimit dhe funksionimit të institucioneve arsimore në Komunën e Gjilanit, si dhe të qartësojë përgjegjësitë e përbashkëta të të gjithë akterëve në përmbushjen e detyrave dhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit.
Sipas agjendës së përcaktuar, Komisioni i ngarkuar për hartimin e draft-Rregullores do të vazhdojë me organizimin e takimeve të tjera konsultative me mësimdhënësit, me këshillat e prindërve dhe nxënësve, si dhe me të gjitha palët e tjera të përfshira në procesin arsimor.
Drejtoria Komunale e Arsimit falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin, angazhimin dhe sugjerimet e dhëna gjatë kësaj punëtorie.
Një falënderim i veçantë i dedikohet Misionit të OSBE-së në Kosovë për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e kësaj punëtorie.




