Futboll

Gjilani shënon fitoren më bindëse në këtë kampionat

SC Gjilani ka shënuar fitoren më bindëse në këtë kampionat edhe atë pas shkarkimit të kryetrajnerit Debatik Curri.

Gjilani ka patur një epërsie në fushë, ka sulmuar më tepër e ka bërë trysni drejt portës së Drenicës, kurse pas kësaj trysnie, në minutën 18, Yll Ibrahimi ka shpërthyer nga e majta, ka harkuar në brendi, por njëri nga mbrojtësit e Drenicës luajti me dorë, e gjyqtari pa u hamendur tregoi në pikën e bardhë.

Armend Thaqi, mori hov dhe kur e pa se portieri i Drenicës, Arijon Ymeri u hodh në të majtë, gjuajti në mes të portës dhe solli ekipin e tij në epërsi prej 1:0, që ishte edhe rezultat i pjesës së parë.

Në minutën 47, pas një shërbimi nga thellësia, Zeka ishte i vetmuar me Ymerin, por portieri i Drenicës me një intervenim bravuroz shpëtoi gol të sigurt, derisa në gjuajtjen e dytë qëlloi shtyllën  e jashtme.

Në minutën 48, pas një ndërhyrje të Boshnjakut në sulmuesin e Drenicës gjyqtari dha penalti. Përgjegjësinë për të gjuajtur e mori Limani, por ai gjuajti mbi portë.

Në minutën 65, pas një kundërsulmi të shpejtë të Gjilanit, Oltion Bilalli shpërtheu nga e djathta dhe në anën e kunërt gjeti Mevlan Zekën e vetmuar, i cili nuk e pati të vështirë të shënojë në portën e zbraztë.

Gjilani që sot luajti shumë mirë edhe në minutën 85 organizoi një kundërsulm të shpejtë, kur Bllaca shpërtheu nga e majta dhe parabolloi portierin Ymeri, kurse kur topi po shkonte drejt rrjetës në të vrapoi Mevlan Zeka sa për ta ngulitur në rrjetë për rezultatin 3:0. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like