Futboll

Gjilani e Drita pa gola në fushën me baltë

Gjilani dhe Drita janë përballur në kryendeshjen e stinorit, e cila sikur shumë herë të tjera edhe kësaj radhe ka përfunduar me rezultatin e barabartë. Në një ndeshje të zhvilluar në një terren të rënduar nga shirat e pandërprera që kanë rënë këtyre ditëve, asnjëra nga ekipet nuk ia ka dalë të shënojë, ndonëse rastet për shënim nuk kanë munguar. Rastet nuk kanë ardhur si rezultat i ndonjë aksioni të rrjedhshëm, ngase fusha nuk e ka mundësuar një lojë të tillë, por shpesh topi ka marrë lëvizje të çuditshme sa rrëshqiste shpejtë në fushën e lagur e ngjitjej për baltën, sidomos para portave.

Në pjesën e parë raste më të mira shënimi ka pasur Drita, por që nuk ia ka dalë të shënojë falë mbrojtjeve të mira të Kaqiut apo edhe të ngathtësisë së sulmuesve para portës.

Në pjesën e dytë Drita ka mbizotëruar në fushë dhe ndeshja është zhvilluar kryesisht para portës së Gjilanit. Drita mundohej që nga ndërprerjet të shfrytëzojë harkimet, e Gjilani me sukses u mbrojt. Drita iu afrua golit në minutën 65, kur Xhevdet Shabani qëlloi vendin ku puthiten pingulja dhe tërthorësja. Pesë minutat e fundit të ndeshjes Drita i priti në ankth, ngase ishte Gjilani ai që sulmonte, duke kërkuar edhe një penalti, por përkundër disa gjuajtjeve në portë dhe tri harkimeve radhazi nga këndi, rezultati mbeti ai i fillimit 0:0.

Edhe kësaj radhe ishin shikuesit ata që dhuruan spektakël, kurse në fund cdo gjë përfundoi qetë, ngase epilogu real ishte pikërisht ndarja e pikëve.

You Might Also Like