OPINION

Kriteret ndaj kandidatëve për deputet të jenë më përmbajtësore

Ndryshimet brenda subjekteve politike me aderime apo futjen e figurave të reja në politikë, nuk duhet shikuar si një e metë e shoqërisë sonë, përkundrazi, ky realitet tregon edhe një të arritur që nuk po arrijmë t’a vlerësojmë si duhet.

Ky tipar i demokratizimit të shoqërisë në heshtje, jep një shpresë ndaj qasjes ose veprimeve të atyre që kanë timonin, por edhe ngecjes herë pas here kur po u mungojnë idetë inovative ndaj probleme dhe sfidave karshi vendit.

Kohëve të fundit për subjektet politike, gjatë kohës së zgjedhjeve, përpilimi i listës me kandidatë të mirë është shfaqur si problem në vete, pasiqë futja e kandidatëve të rinjë me potencial por pa përvojë politike bartë në vete edhe rreziqet e mëvonshme kundrejt subjektit politik amë, duke mos i’u përgjigjur dhe mos qenë garantues i politikave të brendshme të subjektit karshi atyre të jashtëm.

Kjo frymë e re politike ka edhe anët negative brenda organizimit politik, ajo indirekt dëmton subjektet politike, pasi që një hapje e shpejtë dhe reformatizim ndikon në thelbin e tyre, sidomos te ato me traditë më të gjatë.

Reformat në subjektet politike asesi nuk mundë të ndodhin siç jemi mësuar të shohim në ndonjë institucion.

Reformat e tilla janë të pamundura, ngase ato sjellin inovacion dhe figura të reja duke prishur balancën e krijuar brenda trupit si organizatë, dhe më pas ky ndryshim sjell edhe pakënaqësi edhe jashtë atij rrethi vicioz të krijuar pas shumë kohësh.

Duhet ditur dhe larguar idenë se dikush tjetër është fajtor dhe përgjegjës për zhvillimet në vend, duke qenë akterë qytetarët dhe të zgjedhurit e tyre.

Nuk ka mundësi të marrësh dhe të japësh asgjë pa dëshirë tënde. Ky ligj i natyrës na nevojitet edhe në jetën politike që ky vend po kalon.

Konceptet politike në vija të trasha janë të ditura në opinionin e gjerë publik, pavarësisht asaj se ndryshimet në strukturat e tyre organizative të subjekteve politike përgjatë kohës ishin relativisht konstante.

Klasa politike në këto zgjedhje që po na presin duhet sqaruar edhe drejtimin që do të marrë vendi nëse janë të preferuarit dhe të zgjedhurit e tyre nesër.

Nuk mjafton për të qenë bindës me një vizitë, dhe duke përqeshur dhe ofenduar tjetrin.

Tani si shoqëri jemi në një stad tjetër. Qytetarët duan të dijnë më shumë për detaje, dhe jo si më parë të kenë përpara vetes së tyre shprehje dhe premtime në vija të trasha dhe boshe.

Dialogu me serbinë dhe qasja ndaj bashkësisë ndërkombëtare, zhvillimi ekonomik, reciprociteti, demarkacioni me Malin e Zi, aplikimi në organizata ndërkombëtare, pandemia që ka gjunjëzuar vendin, liberalizimi, luftimi i krimit dhe korrupsionit, reforma në Drejtësi, në Arsim, Shëndetësi, investimet në Infrastrukturë, Popullimi i veriut me qytetarë jorezident dhe ndërtimet pa leje (lugina e diellit) e shumë të tjera që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, do të duhej të jenë në paraqitjet dhe programet e tyre politike të subjekteve që garojnë në zgjedhje.

Cilat kritere duhet të përmbushë një kandidat dhe deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës?

Një kandidat i denjë, ambicioz, me vlera të larta morale dhe etike, i sinqertë, intelektual, me familje të shëndoshë, i pa korruptuar, me Arsim të lartë, i pa dënuar jo vetëm në tri vitet e fundit por edhe më gjatë, i respektuar në rrethin e tij dhe më gjërë, njohës i zhvillimeve politike në vend dhe rajon, aktivitetin e tij të mos e ketë të kufizuara dhe shumë kritere tjera, para se të fitojë ulësen në Kuvend të bëjë premtimin e tij publik se do të jetë pjesëmarrës në të gjitha seancat që organizon Kuvendi i Kosovës, të marrë pjesë në votim në projektligjet me rëndësi për vendin, të propozojë ide dhe përkrahë idetë e mira edhe nga kundërshtarët politikë në Kuvend, të takojë qytetarët në vazhdimësi dhe të marrë informacionet nga dora e parë, të jetë me karakter të fortë dhe jo lokalist.

Gama e gjerë e kritereve për pjesëmarrje në listat e të kandidatëve për deputet gjithsesi duhet të vihet në dispozicion nga subjektet politike.

Përgjatë viteve kërkesat e qytetarëve kanë pësuar ndryshime, dhe ofertat nga politikanë pa inovacion nuk do të duhej të fitojnë ulëse në parlamentin e Republikës së Kosovës.

Fushata e shkurtë dhjetë (10) ditore, duhet përmbledhur dhe të zhvillohet me një koncept dhe të ri, përderisa e kufizon pandemia edhe përformimi i kandidatëve për të mbledhur vota duhet të jetë në përputhje me realitetin, duke mos kërkuar votë duke sulmuar të tjerët, por duke paraqitur programin dhe si fokus të jetë zhvillimi dhe ndërtimi i shtetit, pa përfituar nga fatkeqsia e të tjerëve.

Siç po shihet beteja ka filluar dhe në këtë “luftë viganësh” nuk shihen lëvizje të reja, përveç tregimeve që janë bërë mit dhe nuk u bëjnë më përshtypje askujt.

Urojmë që ky vend të shpëtojë një herë e mirë nga jomeritorët, dhe të na përfaqësojnë “më të mirët e më të mirëve”, duke i hapur rrugën perspektivës, dinjitetit dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit në vitet në vazhdim.

Autor: Msc. Skender Berisha

You Might Also Like