Po vazhdojnë punimet në njërin ndër projektet më të mëdha të Komunës së Gjilanit, në rugën “Hamdi Kurteshi”, me vlerë 2.4 milionë euro.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin për Mbrojtje e Shpëtim, Bejtullah Osmanin, zyrtarë komunalë dhe atë të FSK-së kanë inspektuar ecurinë e punimeve.
I pari i Gjilanit, tha se panë nga afër vendosjen e rrethojës së hekurt në brendësi të kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndërsa po vazhdon pastrimi i lumit Stanishorka si dhe përgatitja e ndërtimit të kolektorit!
“Zgjerimi i rrugës “Hamdi Kurteshi”, një mega projekt që po jetësohet”, tha Alban Hyseni.
Ky projekt ishte prezantuar me 22 janar të këtij viti, në kuadër të projekteve me moton “7 javë – 7 projekte”, derisa gurthemeli ishte vënë me 1 dhjetor të vitit 2023.