Në përmbyllje të vitit 2024, Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjilanit, ka organizuar një darkë të përbashkët me të gjitha klubet që veprojnë në Rajonin e Gjilanit, gazetarë e veprimtarë që dhanë kontribut në zhvillimin e futbollit në këtë rajon e ku ishte i pranishëm edhe Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Muharrem Sahiti, drejtor i reprezentacionit të Kosovës, shkruan kryelajmi.com.
Armend Misini, kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit, ka theksuar se në këtë mbrëmje janë krenarë që prezantojnë të arriturat siç janë: Marrëveshja me Kompaninë RC Cola për sponsorizimin e Ligës të kategorive të reja, rritjen e ligës nga 10 ekipe në 13 ekipe, të gjitha të licencuara, rregullimin e fushës në lagjen “Dardania”, hapjen e dy konkurseve për gjyqtarë të futbollit, prej ku kanë dalë 44 gjyqtarë të rinj dhe të arritura të reja.
Për këto zhvillime është pajtuar edhe Agim Ademi, kryetar i FFK-së, i cili është angazhuar që derbi Drita – Gjilani të kthehet edhe më fuqishëm, kur të bëhet stadium i ri dhe ka shtuar se në Kosovë, çdo 45 ditë po hapet nga një fushë në Kosovë. Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe ligjin e sponsorizimit që është shumë i rëndësishëm për klube dhe me të do të jetë shumë më i rëndësishëm për klubet dhe shkollat e futbollit. Ai ka thënë se po punojnë edhe në licencimin e trajnerëve dhe ka kërkuar që klubet të lidhen njëri me tjetrin, sikurse që është angazhuar që të ketë programe të reja për shkollat e futbollit dhe klubet e femrave.
“Për këto tetë vite që prej se jemi anëtarësuar në shtëpinë më të madhe evropiane dhe botërore të futbollit askush nuk ka arritur që të zhvillohet më shumë se ne. Jemi rekorderë në këtë aspekt”, ka thënë Agim Ademi, kryetar i FFK-së, që ka shtuar se Kosova po ec me hapa të shpejtë.
“Vazhdoni të punoni e Federata do t’ju mbështes, kurse ne jemi të kënaqur me punën që po bënë rajoni i Gjilanit dhe kryetari i LRFGJ-së, Armend Misini”, ka thënë Agim Ademi, kryetar i FFK-së.
Në fund janë ndarë mirënjohje e plakata për të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin e futbollit në Rajonin e Gjilanit. /kryelajmi.com/.