Gjilan

Tejkalohet ngërçi në Kuvendin e Gjilanit, miratohet unanimisht buxheti për vitin 2025

Gjilan, 27 shkurt 2025 – Pas shumë tentimeve që prej shtatorit të vitit të kaluar për shkak të mospajtimeve të thella pozitë-opozitë, më në fund është tejkaluar ngërçi në Kuvendin e Gjilanit, duke u miratuar buxheti për vitin 2025.
Në seancën e cilësuar në dakordancë pozitë-opozitë si e jashtëzakonshme dhe urgjente, e cila është udhëhequr nga Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit, e mbajtur të enjten, pika e projekt-buxhetit për vitin 2025 është miratuar në mënyrë unanime, me 33 vota për dhe asnjë kundër.
Gjatë adresimit para kuvendarëve, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se kjo seancë nuk është ftuar sipas procedurave siç e thotë ligji, pasi do të duhej të cilësohej si seancë urgjente e ftuar nga ai, për ta prezantuar më pas buxhetin për vitin 2025.
“Totali i kufijve buxhetorë për buxhetin e vitit 2025 është 39.897.577 euro. Për të tjerat, nga granti i përgjithshëm kemi rreth mbi 14.5 milionë euro, granti për shëndetësi 4.3 milionë euro, granti për arsim 14.4 milionë euro, të hyrat vetanake 6.1 milionë euro, për paga dhe mëditje do të shpenzohen 20.6 milionë euro, në mallra dhe shërbime 7.7 milionë euro, në shpenzime komunale 628 mijë, në subvencione 1.9 milionë euro dhe shpenzime kapitale rreth 8.8 milionë euro”, është shprehur kryetari Hyseni.
Ai tha se në total janë 31 projekte kapitale, të cilat janë të planifikuara për t’u realizuar në vitin 2025.

You Might Also Like