Gjilan

Kurteshi: Ka pasur mirëkuptim ndaj kërkesave të kulturës, rinisë dhe sportit

Gjilan, 17 korrik 2017 / Komiteti për Kulturë, Rini e Sport (KKRS) ka miratuar të hënën raportin e punës për 6-mujorin e parë të këtij viti, të cilin e ka prezantuar Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuese. “Jemi munduar maksimalisht që t`i trajtojmë me kohë çështjet e kulturës, rinisë dhe sportit dhe si rekomandime konkrete i kemi dërguar në Komitetin për Politikë dhe Financa si dhe Kuvend Komunal për zgjidhje”, ka thënë Kurteshi.

Anëtarët e kësaj trupe komunale, po ashtu kanë ngritur edhe shqetësime të ndryshme dhe kanë kërkuar informata mbi zhvillimet dhe ngecjet që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin, nga koordinatori dhe zyrtarët e Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, ka thënë ajo.

Kurteshi – Emini ka përmendur disa prej çështjeve që janë ngritur nga Komiteti, siç është financimi i klubeve dhe aktiviteteve sportive, çështje të rinisë dhe kulturës, në përgjithësi, mirëmbajtjen e terreneve sportive, objekteve kulturore, gjendjen në teatër, përfshirë edhe problemet financiare dhe të tjera.

Ajo është shprehur e kënaqur edhe me bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të KKKRS, ndonëse përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike. “Puna e mirë që është bërë në këtë trupë komunale, është, rezultat i bashkëpunimit tonë në shqyrtimin dhe adresimin e çështjeve kulturore, sportive dhe rinore”, ka thënë Kurteshi – Emini, duke shtuar se është e vetëdijshme që mund të bëhet edhe më tepër.

Arzie Nuhiu (PDK) ka thënë se ky Komitet ka bërë rekomandime të shumta dhe të arsyeshme, por ka kërkuar të informohet se sa prej tyre janë realizuar. Njëherësh, ajo ka kërkuar informatë edhe për arsyet e anulimit të konkursit për drejtor të Teatrit, disa herë.

Sa iu përket rekomandimeve, Kurteshi – Emini ka thënë se Kuvendi Komunal, përfshirë edhe opozitën, ka treguar mirëkuptim të plotë për kërkesat e kulturës, rinisë dhe sporteve, sidomos të atyre financiare, brenda mundësive buxhetore.

Ndërkaq sa i përket Teatrit, ajo ka se nuk ka ndonjë përgjigje konkrete, por e ka vlerësuar shqetësues faktin që konkursi për drejtor po përsëritet disa herë.

KKRS ka vendosur që raportin e Njësisë për Kulturë, Rini e Sport ta shtyjë për një takim tjetër, meqë nuk ishte i plotë, ndërsa përgjegjësit e sektorëve nuk ishin të pranishëm në takim për të dhënë përgjigje në interesimet e anëtarëve të kësaj trupe komunale.

You Might Also Like