Gjilan

“Muri i respektit” aktivitet që mëton rritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve për format e dhunës

Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është shënuar Java Kundër Dhunës në Shkollë, aktivitet ky i organizuar nga psikologia e shkollës Lindita Ramushi – Dushku bashkë me nxënësit e shkollës.

Në këtë ngjarje kundër dhunës në shkolla ishte i pranishëm edhe Shpend Nuhiu, drejtor në Drejtorinë për Arsim në Gjilan, i cili ka theksuar se nxënësit përmes këtij aktivitetit në mënyrë simbolike janë kryengritur kundër dhunës dhe ata me paraqitjet e tyre ndanë eksperiencat se sit ë mposhtim dhunën.

“Në asnjë variant dhuna nuk është zgjidhja. Ajo është e dëmshme dhe nga dhuna askush nuk ka dobi”, ka thënë drejtori Shpend Nuhiu, duke shtuar se bashkëpunimi dhe komunikimi është mënyra më e mirë se sit ë zgjidhen problemet që kanë të bëjnë me dhunën.

Edhe Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” ka theksuar se dhuna nuk sjell asnjë të mirë, andaj duhet shmangur dhunën dhe kjo duhet t’u bëhet me dije të gjithë nxënësve e këto aktivitete, si ky i sotmi janë shumë të dobishëm për nxënësit tanë.

Nxënësit në mënyrë simbolike kanë ndërtuar një mur “Murin e respektit” në të cilin kanë varë mesazhe që flasin për paqe, respekt e dashuri e jo për dhunë, derisa të interpretuara nga nxënësja Kaula Haziri nxënësit kanë parakaluar me pano nëpërmjet të cilave përhapet klima positive në shkollë.

Psikologia e shkollës, Lindita Ramushi – Dushku, tha se ky aktivitet mëton rritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve për format e dhunës, ngase nxënësit shpesh e perceptojnë dhunën vetëm si dhunë fizike, por dhuna ka edhe forma të tjera më pak të dukshme, por po aq të dëmshme si:

-Dhuna verbale: sharje, ofendime, tallje, kërcënime.

– Dhuna emocionale: izolim, përjashtim nga grupi, përhapje thashethemesh.

– Dhuna ne internet- ofendime apo përhapje fotosh/mesazhesh në rrjete sociale me qëllim poshtërimi.

Ajo tha se duhet të fuqizohet roli i nxënësve si faktor aktiv në parandalimin e dhunës, ngase shumë shpesh, nxënësit janë dëshmitarë të situatave të dhunës. Heshtja i forcon autorët e dhunës. Nëse nxënësit fuqizohen dhe kuptojnë rolin e tyre, ata mund të ndihmojnë viktimën, parandalojnë përshkallëzimin e dhunës, informojnë mësuesin ose psikologun, promovojnë respektin në klasë dhe rrjetet sociale e të  promovojnë klimë pozitive në shkollë përmes bashkëpunimit dhe respektit reciprok.

“Shkolla ku sundon respekti dhe bashkëpunimi është një hapësirë më e sigurt, ku nxënësit ndihen të pranuar dhe motivuar për të mësuar. Nxënësit do të kuptojnë qartë se çfarë është dhuna dhe format e saj. Ata do të ndihen më të fuqizuar për të reaguar në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshme. Shkolla do të përfitojë një klimë më të shëndetshme dhe më positive, ka thënë Lindita Ramushi – Dushku, psikologe.

You Might Also Like