ARSIMI

Nxënës të shkollës “Vatra e Diturisë” informohen për funksionimin e Komunës së Gjilanit

Dhjetë nxënës të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Vatra e Diturisë” në Livoç të Epërm, kanë vizituar zyrat e Drejtoratit për Arsim të Komunës së Gjilanit.
Nxënësit janë informuar nga drejtori për Arsim Shpend Nuhiu, lidhur me funksionimin e Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtoratit për Arsim dhe janë informuar për thelbin e procesit të tenderimit, për të ndarë përvojat e luftimit të korrupsionit etj.
Bashkë me nxënësit ishin edhe Shkëmb Shala, koordinator i projektit “Detektivët e Korrupsionit” të implementuar nga organizata jo qeveritare Lens, me përkrahjen e organizatës KDI dhe drejtori i ShFMU “Vatra e Diturisë” nga Livoçi i Epërm Fadil Musliu.
Drejtori për Arsim, Shpend Nuhiu, falënderoi OJQ Lens, që kanë përzgjedhur Komunën e Gjilanit, në mesin e 7 komunave që të realizohet punëtoria kundër-korrupsionit me moshat e reja.
Sipas tij nga kjo vizitë përmbushet plani edukativ i nxënësve me përvojë praktike dhe i ndihmon ata të kuptojnë dhe të për përfitojnë të dhënat që i marrin gjatë punëtorisë, duke i fuqizuar që të jenë qytetarë të ndërgjegjshëm dhe aktiv në të ardhmen.
Ai inkurajoi të rinjtë që përveç pjesës teorike, të marrin edhe përvojën praktike nga zyrtarët e përfshirë në procese ku mund të zhvillohet korrupsioni.
Shkëmb Shala, tha se me Komunën e Gjilanit, kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe i falënderoi për transparencën e treguar, e cili po rritet edhe më shumë nga viti në vit.
Ai falënderoi edhe drejtorin për Arsim, Shpend Nuhiun për mikpritjen.
Sipas tij synimi i projektit është që të japë hapat e parë të njohjes dhe parandalimit të korrupsionit tek moshat 12-16 vjeç.
“Pasi që të rinjtë veçse përballen me këtë zhargon në jetën e përditshme, ne po synojmë që ti udhëzojmë me definime dhe shembuj praktik, në mënyrë që të jenë të përgatitur për jetën aktive qytetare në të ardhmen”, tha Shala.
Ai theksoi se për të arritur këtë synim, kanë filluar të realizojnë punëtoritë kundër-korrupsionit me moshat e reja në 7 komuna të Kosovës.
Edhe drejtori i ShFMU “Vatra e Diturisë” nga Livoçi i Epërm, Fadil Musliu, falënderoi drejtorin Nuhiu dhe Komunën e Gjilanit, për bashkëpunimin e mirëfilltë që kanë, duke shpresuar ne forcimin e saj.

You Might Also Like