Vjollca Duraku
Elona Sadiku është një prej talenteve të reja më të spikatura viteve të fundit në artin muzikor në vend, e cila me shumë punë, përkushtim dhe pasion ka arritur të afirmohet fuqishëm në skenën muzikore, duke qenë pjesë e institucioneve më të larta të muzikës në vend, Operës dhe Filharmonisë së Kosovës. Zëri i saj unik që karakterizohet nga një butësi e gërshetuar me fuqi të rafinuar janë arsyet kryesore që e bëjnë të dallojë këtë zë mahnitës prej dhjetëra e qindra zërave të shkëlqyer të artistëve të tjerë.
Talenti i saj për artin muzikor është i lindur, e megjithatë përgatitja për një sukses të tillë ka ardhur gradualisht dhe shumë natyrshëm nga viti në vit. Që në fëmijëri, në vend të lodrave dhe bashkëmoshatarëve, pianoja me tastet e saj i ishin shndërruar në shoqen e saj të ngushtë. Notat që tashmë i interpretonte krahas këndimit ngadalë po i rrëfenin për një rrugëtim të bukur të cilin do ta jetësonte pas disa vitesh, me tërheqjen delikate të fijeve me të cilat kishte thurur vizionin e artë në mendjen e saj. Angazhimi në shkollën e muzikës dhe kontakti i drejtpërdrejtë me profesionistët muzikorë, i dhanë artistes një bazë të mirë për qenë një soprano e dalluar.
Ndërkaq, përfshirja e saj në koncerte të ndryshme, përjetimi i madhështisë së skenës dhe magjisë së publikut i dhanë ndjesi të jashtëzakonshme, duke ia vulosur fatin se muzika do të ishte pjesë e përbërëse e rrugëtimit të saj jetësor. Ky udhëtim i bukur muzikor, i realizuar me tingujt e kryeveprave botërore në 10- 15 vite, tashmë ka filluar të japë frytet e veta. Interpretimi i roleve të rëndësishme në Operën e Kosovës, interpretimi si soliste në Filharmoni me veprat e gjenive të muzikës Bach dhe Bethoven, përfshirja e saj në Ansamblin ReMusica dhe së fundmi edhe në Ansamblin Zanat janë vetëm disa nga prej sukseseve të cilat e tregojnë metamorfozën e artistes sidomos në dy vitet e fundit, gjë që tregon për një të ardhme të ndritshme sa i përketë prezantimit të saj skenik.


Pjesëmarrja në aktivitetet e institucioneve të lartëpërmendura dhe jo vetëm, si dhe përfundimi i nivelit master në Universitetin e Prishtinës, te profesoresha Merita Juniku, i kanë dhënë precizitet shumë të mprehtë aftësive të saj interpretative, duke e vendosur atë në listën kryesore të emrave sa herë që produksionet janë në kërkim të personazheve të ndryshme për debutim.Viti që po vjen duket të jetë tejet i ngjeshur me punë dhe projekte për sopranon Elona Sadiku, e cila përveq aktiviteteve të rregullta në Operë e Filharmoni, ka paralajmëruar realizimin e një koncerti solistik si dhe lansimin e një kënge të re.
Në një intervistë të realizuar për fundvit, sopranoja Elona Sadiku për KultPlus ka shpalosur në detaje suksesin, punën dhe sfidat që e kanë përcjellë rrugëtimin e saj artistik, sidomos në vitet e fundit:
KultPlus: Si ka lindur dashuria juaj për muzikën?
Elona Sadiku: Dashuria ime për muzikën ka lindur bashkë me mua. Që në fëmijëri shumë të hershme, para se të formoja fjalët e para, unë kam kënduar. Pikërisht këtë vit i pash për herë të parë disa video ku babai im na kishte incizuar. Derisa motra dhe kusherinjtë e mi recitonin, unë krijoja tinguj muzikorë ende pa ditur të flas, si një nevojë për të shprehur veten përmes melodisë.
Me kalimin e viteve, kjo dashuri ndaj muzikës u rrit paralelisht me mua. Muzika nuk ishte më vetëm si instikt por në moshën shtatëvjeçare, prindërit më regjistruan në shkollën e muzikës aty ku fillova rrugëtimin tim me pianon. Aty dashuria ime për muzikën mori formë, duke u bërë nga një talent i lindur në një identitet që vazhdon të më karakterizoj edhe sot.
KultPlus: Kur ka qenë momenti që ju e keni kuptuar se muzika do të bëhet pjesë e rrugëtimit tuaj, kush e ka spikatur talentin tuaj?
Elona Sadiku: Në thelb, muzika ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Nuk e kam parë kurrë si diçka të jashtme por si pjesë të identitetit tim qysh e vogel dhe ndihem shumë me fat që e kam talentin. Të parët që e spikatën këtë talent ishin prindërit dhe familja ime, të cilët besuan tek unë dhe më mbështetën duke më dërguar në shkollën e muzikës. Më pas kjo përkrahje u vërejt edhe nga familja, shoqëria e në veçanti nga arsimtarët e mi, si në shkollën e muzikës ashtu edhe në shkollën e rregullt.
Momenti kur e kuptova se muzika nuk do të ishte vetëm një fazë, por një pjesë e rrugëtimit tim, lidhet ngushtë me hyrjen time në shkollën e muzikës. Pianoja u bë shumë shpejt “shoku/shoqja” e jetës sime. Këtë e shihja më së shumti kur fëmijët e tjerë luanin e unë gjeja lojën time te tastet e pianos, aty ku ndihesha plotësisht vetja. Unë këndoja dhe përcjellja veten në piano dhe kjo për mua ishte njëkohësisht hobi dhe pasion. Megjithatë, momenti kyç kur e kuptova se dua ta vazhdoj këtë rrugëtim me përkushtim të plotë ishte skena. Koncertet dhe paraqitjet më dhanë ndjesinë se ky është vendi ku dua të jem.
KultPlus: Viteve të fundit keni pasur një mori paraqitjesh (edhe me role kryesore), me çka keni rënë shumë në sy të publikut, mund tё na tregoni saktësisht për cilat projekte bëhet fjalë?
Elona Sadiku: Këto vitet e fundit kanë qenë mjaft intensive për mua, e që kanë shënuar etapa të rëndësishme në rrugëtimin tim muzikor. Këtë vit si soliste me Filharmoninë e Kosovës, kam performuar në veprën “St. Mark Passion BWV 247” nga J. S. Bach dhe në veprën “Choral Fantasy” nga L.V. Beethoven, si dhe në disa koncerte korale në Hamburg e Düsseldorf. Një vend të veçantë në këtë rrugëtim zë angazhimi im si soliste e Operës së Kosovës, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ndër paraqitjet me Operën do të veçoja interpretimin tim në operën “Goca e Kaçanikut”, si dhe rolin e Mércèdes në operën “Carmen”, role që më kanë sfiduar artistikisht dhe më kanë lejuar të eksploroj aspektin skenik e vokal.
Një performancë më ndryshe ishte ajo me dy koleget e mia Andra Rexhepi dhe Aurela Murtezaj me të cilat u paraqitëm si trio musafire në Festivalin e Këngës në RTK ku kënduam një medley si “60s Soul Sisters” performancë kjo e financuar nga Benito Mares. Përveç këtyre, jam pjesë e Ansamblit Zanat dhe Ansamblit vokal ReMusica, me të cilët këtë vit kam realizuar paraqitje në koncerte Kosovë, Shqipëri, Holandë dhe Spanjë.


KultPlus: Cila është performanca apo projekti nga ky vit që të ka bërë më krenare?
Elona Sadiku: Të them të drejtën, performanca që më ka bërë më krenare këtë vit ka qenë roli i Mércèdes në “Carmen”. Ishte një sfidë e madhe për mua, sidomos për shkak të kohës shumë të shkurtër që kisha në dispozicion për ta përgatitur. Roli ishte në gjuhën frënge, një gjuhë e cila njihet për vështirësinë për ta shqiptuar dhe tani që po mendoj u ktheva në ato ditë vere të nxehta e të bukura ku së bashku me kolegen time Urta Haziraj po mundoheshim t’i mësonim rolet tona. Babai im që na ndihmonte me frengjishten dhe ne që po e ëndërronim vetën në skenë, por që megjithatë me përkushtim dhe fokus të plotë ia dolëm ta mësojmë rolin edhe më shpejt ngaqë menduam dhe për këtë jam shumë krenare. Pikërisht ky sfidim i vetvetes dhe realizimi i suksesshëm është ajo që më bën të ndihem krenare për këtë projekt.
KultPlus: Si ishte për ty përjetimi i rolit të Mércèdes te opera Carmen – çfarë lirie të solli ky personazh?
Elona Sadiku: Mércèdes është një personazh i drejtpërdrejtë, energjik, dhe për nga liria ngjan me shoqen e saj Carmen-in. Gjatë studimit të rolit dhe provave me regji ky rol më bëri të eksploroj një anë më të hapur, më të fortë dhe më spontane. Në skenë ndihesha e lirë dhe e sigurt. Trupi dhe zëri im lëviznin natyrshëm me karakterin dhe meloditë e bukura të operës. Hyrja e plotë në botën e personazhit, e bëri këtë rol një nga përvojat më të veçanta për mua si artiste dhe më dha ndjenjën që vetëm opera di të ia jep një artisti.



KultPlus: Në koncertin përmbyllës të Operës për këtë vit jeni prezantuar me një rol specifik, çka mund të na tregoni lidhur me këtë rol?
Elona Sadiku: Në fund të këtij viti u prezantova në koncertin përmbyllës të Operës së Kosovës, ku interpretuam fragmente nga opera “Die Zauberflöte” e W. A. Mozart, nën drejtimin e dirigjentit dhe pianistit Peter Valentovič. Ky projekt bashkoi solistët e Operës së Kosovës me studentët e Klasës së Muzikës Kamerale të Fakultetit të Arteve, në mentorimin e profesoreshës Besa Llugiqi, duke krijuar një bashkëpunim shumë të bukur.
Unë interpretova duetin e famshëm “Bei Männern, welche Liebe fühlen” në rolin e Paminës së bashku me kolegun Harris Bajraktari. Pamina është një personazh i mbushur me sinqeritet dhe dritë dhe mu në këtë duet ajo përshkruan një vizion shumë të pastër të dashurisë. Ajo thot se dashuria i bashkon njerëzit dhe i bën të mirë e të dhembshur, andaj përjetimi i këtij roli në skenë ishte një përmbyllje shumë e bukur dhe domethënëse e këtij viti artistik.
KultPlus: Çfarë do të thotë për ty të jesh pjesë e Filharmonisë dhe çfarë peshe ka ky angazhim në karrierën tënde?
Elona Sadiku: Të jem pjesëtare e Korit të Filharmonisë së Kosovës për mua do të thotë shumë më tepër sesa një angazhim profesional. Është një përvojë që më ka dhënë dhe vazhdon të më jep mundësinë të rritem vazhdimisht si interpretuese, të punoj në projekte të rëndësishme artistike dhe të jem pjesë e një institucioni që përfaqëson nivelin më të lartë shtetëror të muzikës.
Përmes këtij angazhimi kam pasur mundësinë të udhëtoj, të performoj jashtë vendit dhe të shoh kultura të ndryshme. Filharmonia ka një peshë shumë të madhe në karrierën time. Të jesh pjesë e saj do të thotë të kontribuosh në aspektin kulturor, por njëkohësisht edhe të ndërtosh veten çdo ditë, përmes punës, skenës dhe përvojave gjatë rrugëtimit.


KultPlus: Viteve të fundit, ju poashtu jeni pjesë e Ansamblit Zanat, si erdhi bashkëpunimi yt me Ansamblin dhe çfarë të tërhoqi drejt këtij projekti?
Elona Sadiku: Një nga momentet më të bukura të këtij viti ishte ftesa për tu bashkuar me Ansamblin Zanat. E dija që ky ansambël përbëhet nga artiste të mrekullueshme Elida, Diellza, Arstina dhe Albana, pasi i kam njohur si shoqe e kolege në Korin e Filharmonisë, dhe për mua ishte një nder i madh që të bëhesha pjesë e tyre.
Nga momenti që u bashkova, më kanë pritur me shumë ngrohtësi dhe respekt, dhe kjo më bëri të ndihem menjëherë si pjesë e ansamblit. Bashkëpunimi me to më ka dhënë mundësinë të eksploroj repertor të bukur nga këngët tona shqipe dhe të shijoj një atmosferë artistike që vetëm “Zanat” dijnë që ta japin. Sot ndihem se jam pjesë e këtij ansambli që një kohe të gjatë.
KultPlus: Çfarë roli ka ky ansambël në rrugëtimin tënd artistik?
Elona Sadiku: Ansambli Zanat ka një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tim artistik, sepse më ofron mundësinë të zgjeroj repertorin muzikor. Një nga gjërat më të bukura në këtë ansambël është se aty këndojmë kryesisht shqip, duke ruajtur dhe transmetuar këngët tona tradicionale dhe kulturën muzikore të vendit tonë. Përveç aspektit muzikor, ky ansambël na jep hapësirë për të ndërtuar bashkëpunime të ngushta në shoqëri dhe me artistë të tjerë.
KultPlus: Si e sheh rolin e Zanave në skenën muzikore sot?
Elona Sadiku: Ansambli Zanat ka një rol të veçantë në skenën muzikore sot. Ai është një ansambël i përbërë vetëm nga femra, dhe kjo i jep skenës një frymë të fuqishme feminizmi, duke treguar se gratë mund të jenë lidere e këngëtare. Ky aspekt ndoshta e bën prezencën tonë edhe më unike dhe frymëzuese për publikun. Për më tepër, në Kosovë nuk ka shumë ansamble të tilla, dhe kjo e pasuron jetën artistike të vendit.


KultPlus: A ke ndonjë këngë që e cilëson si këngë të shpirtit, nëse po pse?
Elona Sadiku: Po, për mua një këngë që e cilësoj si “këngë e shpirtit” është kënga ime “Zanin Tand”, një këngë që kam krijuar së bashku me kompozitorin Bekim Këpuska. Kjo këngë ka një vend të veçantë në zemrën time, sepse është kënga ime e parë. Me këtë këngë vura re dashurinë dhe përkrahjen e njerëzve e shoqërisë ndaj zërit dhe muzikës time. Përveq interpretimit vokal, në këtë këngë kam luajtur vet edhe në instrumentin e pianos dhe kjo më ktheu në fillimin e hapave të mi drejt muzikës.
KultPlus: Cili moment i këtij viti të duket sikur përkufizon më mirë rrugëtimin tënd artistik?
Elona Sadiku: Momenti i këtij viti që më duket se përkufizon më mirë rrugëtimin tim artistik ishte interpretimi im në Festivalin e Këngës, një festival që ndiqet nga e gjithë shqiptaria.
Kur isha e vogël, këndoja shumë këngë në gjuhën angleze, me stile të ndryshme si: pop, r&b, soul etj, dhe pasi u regjistrova në Fakultetin e Arteve, Drejtimi i Arteve Muzikore, u përqendrova në muzikën klasike, duke lënë paksa pas dore atë pjesë të fëmijërisë sime. Ky moment më bëri të kthehem tek ajo Elona e vogël që ëndërronte të këndonte në skena të mëdha. Ishte një përvojë kulminante, ku ndjeva se vazhdova atë pasionin tim që gjithmonë e kam pasur me muzikën dhe skenën.

KultPlus: Si ka ndryshuar rutina jote performuese krahasuar me vitet e kaluara?
Elona Sadiku: Rutina ime performuese ka mbetur kryesisht e njëjtë si vitet e kaluara, me përgatitje të rregullt për prova dhe koncerte, por këtë vit ndoshta është pak më e dendur. Kam pasur më shumë angazhime, performanca dhe projekte, gjë që kërkon organizim më të mirë të kohës dhe energjisë. Megjithatë, kjo më sfidon pozitivisht dhe më ndihmon të rritem si interpretuese, duke e bërë çdo përvojë në skenë edhe më të suksesshme.
KultPlus: A ka pasur ndonjë bashkëpunim që ka pasur një ndikim të veçantë në ty këtë vit?
Elona Sadiku: Të gjitha bashkëpunimet që kam pasur këtë vit kanë qenë të veçanta për mua, sepse secili bashkëpunim më ka dhënë mundësinë të punoj me artistë të tjerë, të jem pjesë e grupeve shoqërore dhe të ndajmë përvojat tona artistike. Bashkëpunimet pasurojnë interpretimin tim, më ndihmojnë të rritem profesionalisht dhe gjithashtu krijojnë lidhje me kolegët e komunitetit artistik. Çdo bashkëpunim ka sjellë diçka të re në rrugëtimin tim dhe ka kontribuar në zhvillimin tim si artiste.
KultPlus: Si e përshkruan zhvillimin tënd vokal gjatë këtij viti?
Elona Sadiku: Zhvillimi im vokal gjatë këtij viti ka qenë mjaft intensiv. Kam përfunduar masterin në solokëndim, gjë që më ka dhënë një bazë teknike dhe artistike. Përveç studimeve, angazhimet në opera më kanë sfiduar dhe më kanë ndihmuar të përmirësoj interpretimin tim vokal.
Puna me Filharmoninë e Kosovës ka qenë gjithashtu një hap i rëndësishëm, sepse kam pasur mundësinë të punoj me shumë dirigjentë të njohur, të mësoj mënyra të ndryshme interpretative dhe të zgjeroj diturinë sa i përket vokalit. Ky vit ka qenë një periudhë rritjeje, ku përvoja praktike dhe studimi më kanë ndihmuar si artiste interpretuese.

KultPlus: Kush apo çfarë të ka frymëzuar më shumë këtë vit?
Elona Sadiku: Frymëzimi im më i madh vjen nga vetë dashuria për muzikën. Për mua muzika nuk është vetëm një profesion apo një aktivitet, por është diçka që më mbush shpirtin dhe më bën të ndihem e plotë. Madje edhe gjatë provave apo punës së përditshme e kuptoj pse e kam zgjedhur po këtë rrugë. Muzika është terapi, ajo i bën njerëzit të ndihen mirë e të gëzohen dhe i frymëzon të bëjnë gjëra të bukura e ti gëzohen jetës. Përveq muzikës, familja është ajo që më frymëzon çdo herë.
KultPlus: Cili është mësimi më i rëndësishëm që ke nxjerrë nga përvoja e këtij viti?
Elona Sadiku: Mësimi më i bukur që kam kuptuar nga përvoja e këtij viti është se mendimet pozitive janë çelësi i një jete të lumtur dhe të suksesshme. Kur e mbaj mendjen të hapur dhe përqendrohem tek aspektet pozitive të çdo situate, arrij të përballoj sfidat me qetësi. Ky mësim më ka ndihmuar të ruaj energji të mirë gjatë provave dhe performancave, dhe të mundohem të shijoj çdo moment. Pozitiviteti më lejon të shoh mundësi ku të tjerët mund të shohin vështirësi.
KultPlus: Çfarë këshille do t’i jepje vetes tënde që në fillim të vitit?
Elona Sadiku: Këshilla që do t’i jepja vetes është që të vlerësojë çdo moment, qoftë sfidë apo sukses, sepse të gjitha përvojat formojnë rrugëtimin personal. Të jem pozitive dhe të besoj në veten time. Të ruaj energjinë dhe fokusin tek gjërat që më japin lumturi besoj se është çelësi për të pasur një vit të bukur.
KultPlus: Çfarë projektesh apo role ke në plan për vitin e ardhshëm?
Elona Sadiku: Për vitin e ardhshëm kam në plan disa projekte që më motivojnë shumë. Do të kem koncerte me Filharmoninë e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, si dhe paraqitje si soliste me Operën e Kosovës. Përveç këtyre do të realizoj edhe një koncert solistik jashtë vendit. Gjithashtu, shpresoj që vitin e ardhshëm të sjell edhe një këngë të re.
KultPlus: Porosia juaj për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të ndjekin rrugëtimin muzikor dhe pse jo t’i arrijnë sukseset tuaja?
Elona Sadiku: Porosia ime për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të ndjekin rrugëtimin muzikor është të mos ndalen kurrë dhe të punojnë me përkushtim. E vërtet se talenti duhet të jetë, por pa punë nuk ka sukses. Andaj të mos i kushtojnë rëndësi fjalëve të tepërta ose dyshimeve të të tjerëve, por të besojnë tek vetja dhe talenti i tyre. Nëse besojnë me të vërtetë se kanë aftësi, dhe nëse punojnë pa ndalur, nuk ka sfidë që nuk mund ta kapërcejnë. Disiplina, durimi, puna dhe dashuria për muzikën janë ato që mjaftojnë për të pasur sukses. / KultPlus.com





