Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit.Në Komunën e Vitisë janë zhvilluar aktivitete informuese dhe shërbime falas për qytetarët kalimtarë të rastit, me qëllim të promovimit të kujdesit ndaj shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve.
Me këtë rast, një ekip i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF)-Viti, ka qëndruar në sheshin e qytetit, ku qytetarëve u është ofruar matja falas e nivelit të sheqerit në gjak dhe tensionit arterial. Po ashtu, janë shpërndarë fletushka me këshilla shëndetësore dhe informacione të dobishme lidhur me mënyrën e jetesës së shëndetshme.
Gjatë këtij aktiviteti, qytetarët janë njoftuar edhe për shërbimet që ofrohen në QKMF në Viti, si dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozheran, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore.
Ekipin shëndetësor e ka vizituar edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Halil Musliu, të cilët përgëzuan stafin për angazhimin dhe kontributin në shërbim të qytetarëve.
Me këtë rast, drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli Halili, theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla. “Shënimi i Ditës Botërore të Shëndetit është një mundësi e mirë për të afruar shërbimet shëndetësore më pranë qytetarëve dhe për të rritur vetëdijesimin për kujdesin ndaj shëndetit. Përmes aktiviteteve të tilla, ne synojmë të informojmë qytetarët mbi rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve, kontrollave të rregullta dhe adoptimit të një stili jetese të shëndetshëm.”, u shpreh znj. Kadolli-Halili.një aktivitet i tillë është mbajtur po ashtu sot në Pozharan.Aziz Zuka





