Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në një tragjedi të rëndë u kthye në një histori heroizmi mëngjesin e djeshëm në Liqenin e Livoqit të Epërm. Një grua shtatzënë u shpëtua nga vdekja e sigurt falë reagimit të shpejtë dhe guximit të 36-vjeçarit Faton Tahiri, pasi automjeti i saj ra në ujërat e liqenit.
Aksidenti ndodhi dje në mëngjes, rreth orës 07:50. Një veturë e tipit “Golf 4”, e cila po vinte nga drejtimi i Prishtinës, humbi kontrollin dhe devijoi rrugën, duke përfunduar në thellësitë e Liqenit të Livoqit të Epërm. Në zonën ku ra automjeti, thellësia e ujit arrinte në afro 3 metra, duke e kthyer situatën menjëherë në një çështje jete a vdekjeje.
Fati deshi që në ato momente kritike, 36-vjeçari Faton Tahiri nga fshati Jabuq të ishte zgjuar. Ai ndodhej në ballkon, duke u përgatitur të hapte punëtorinë e tij ku merret me servisimin e veturave.
“Isha në ballkon, kam dashur të shkoj te punëtoria ime ku kishin ardhur disa klientë, dhe për një moment e kam parë veturën e cila ka rënë në pendë,” thekson Tahiri. “Nuk kam hezituar, kemi vrapuar me tërë fuqinë për të parë nga afër se çfarë ndodhi dhe e vërejtëm se çdo minutë vetura po fundosej. Së pari tentova të hyj nga një pjesë në ujë, por m’u duk shumë larg. Kam vrapuar te një pjesë tjetër e pendës që m’u duk më e afërt dhe kam hyrë menjëherë në ujë.”
Beteja për ta shpëtuar shoferen ishte e mbushur me vështirësi. Tahiri përshkruan momentin dramatik kur arriti te vetura, e cila ishte vetëm pak çaste larg fundosjes totale. “Uji ka qenë shumë i ftohtë dhe penda ishte me shumë baltë. Me shumë mund kam arritur ta hap derën e veturës dhe kam vërejtur një grua e cila ishte në panik të madh, ishte para humbjes së vetëdijes. E kam nxjerrë nga vetura me disa gërvishtje të vogla,” tregon ai.
Sekondat ishin vendimtare. Siç dëshmon heroi i kësaj ngjarjeje, porsa ata kishin arritur të dilnin në breg të liqenit dhe gruas po i kthehej pak vetëdija, vetura u fundos plotësisht nën ujë për më pak se një minutë. Menjëherë pas kësaj, në vendin e ngjarjes ka arritur Ndihma e Shpejtë, e cila e ka dërguar gruan për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ndonëse Faton Tahiri thekson se as emrin nuk ia di gruas të cilës i shpëtoi jetën, ky akt human nuk ka kaluar pa falënderimet e thella të familjarëve të saj. Ata kanë kontaktuar 36-vjeçarin për t’i shprehur mirënjohjen e përjetshme për këtë akt heroik.
Me modesti, Tahiri e mbyll rrëfimin e tij duke i uruar shërim të shpejtë të mbijetuarës: “Nga zemra, në emrin tim dhe të familjes sime, i dëshiroj shëndet të plotë kësaj gruaje, e cila në momentet e fundit i shpëtoi më të keqes. Faleminderit Zotit që më dha fuqi që ta shtrij dorën e shpëtimit.” Ngjarje të tilla shërbejnë si një dëshmi e fortë e humanizmit dhe guximit qytetar, ku vigjilenca dhe sakrifica e një individi kthehen në dhuratën më të çmuar për një jetë njerëzore.





