Futboll

Sot zhvillohet derbi i 71-të ndërmjet Dritës dhe Gjilanit

Këtë të diele, më 24 maj 2027, me fillim në ora 16 zhvillohet derbi i 71-të ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, ekipe këto që kanë dhënë shfaqjet më të mira në derbin kosovar, shkruan kryelajmi.com

Derbi i nisur në vjeshtën e vitit 1995, rrugëtimin e vet e vazhdon edhe kur kanë kaluar tri dekada nga ndeshja e parë. Që nga atëherë, ky derbi ka mbetur ndër më të zjarrtit në Kosovë, kurse ndeshja e kësaj të diele më domethënëse është për SC Gjilanin, të cilit i nevojiten pikët, derisa Drita tashmë ka siguruar titullin kampion dhe pa marrë parasysh rezultatin ka paralajmëruar festën pas ndeshjes dhe në mbrëmje.

Ndeshjet e gjerëtanishme kampionale

Deri më tashti në këtë derbi janë zhvilluar 59 ndeshje kampionale, nga të cilat Drita ka 23 fitore, Gjilani ka ngadhënjyer 15 herë, kurse 21 ndeshje kanë përfunduar me rezultat të barabartë. Drita në ndeshje kampionale në portën e Gjilanit ka shënuar 70 herë, derisa Gjilani 48 herë ka tundur portën e Dritës.

Ndeshjet për kupë:

Në garat e Kupës së Kosovës, Drita dhe Gjilani janë ndeshur tetë herë, kurse edhe këtu ekipi bardh e kaltër ka qenë më i suksesshëm, ngase ia ka dalë të shënojë katër fitore, ka pësuar dy herë, kurse ekipet dy herë janë ndarë me rezultat të barabartë. Drita ka një goldallim më të mirë se Gjilani në ndeshjet për Kupë 9:7.

Ndeshjet në turne

Në dy turne të mbajtur në Gjilan, njërin menjëherë pas luftës e tjetri në turneun “Raci – Reshi – Bezi”, Drita dhe Gjilani janë ballafaquar dy herë dhe të dy ndeshjet kanë përfunduar me rezultat të barabartë, 1:1 gjegjësisht 0:0. Pas ekzekutimit të penaltive, në të dy ndeshjet Drita ka qenë më e mirë.

Ndeshjet miqësore

Drita – Gjilani në ndeshje miqësore janë përballur vetëm një herë dhe ajo ndeshje ka përfunduar me rezultat të barabartë 0:0.

Gjithsej Drita dhe Gjilani deri më tashti kanë zhvilluar 71 ndeshje, nga të cilat Drita ka 27 fitore, Gjilani – 17, kurse baras janë ndarë 26 herë, kurse goldallimi është 80:56. /kryelajmi.com/.

Burimet për këtë shkrim janë marrë nga libri “Drita – Gjilani (1995 – 2025) i autorit Dr. Enver Sadiku.

You Might Also Like