Futboll

Adil Maliqi dhe FFK nuk gjejnë gjuhë të përbashkët

Trajneri i njohur i Kombëtares U19 të Kosovës, Adil Maliqi, ka njoftuar dorëheqjen nga pozita e tij pas një periudhe të suksesshme, por të mbushur me sfida.

Ky vendim erdhi pasi Maliqit i skadoi kontrata në muajin dhjetor dhe, pavarësisht përpjekjeve, ai dhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) nuk arritën një marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.

Adil Maliqi është një emër që ka lënë gjurmë të thella në futbollin kosovar, veçanërisht për suksesin historik me Kombëtaren U19, duke mposhtur Spanjën, një nga ekipet më të forta të futbollit evropian. Ky moment ka hyrë në histori si një nga arritjet më të mëdha të futbollit kosovar në nivel ndërkombëtar.

Lajmin për dorëheqjen e tij Maliqi e bëri publik përmes një postimi emocional, ku falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij si trajner. Në postimin e tij, ai shkroi:
“Të nderuar drejtues të Federatës së Futbollit të Kosovës, lojtarë, prindër dhe tifozë dardanë, shpesh, rrethanat na vendosin përballë vendimeve që zemra nuk dëshiron t’i pranojë, por arsyeja i kërkon.”

Ai shpjegoi se vendimi për t’u larguar nuk ishte aspak i lehtë, por u bë i domosdoshëm për shkak të mungesës së një zgjidhjeje të përbashkët me Federatën:
“Me keqardhje të thellë, kam vendosur të dorëhiqem nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19 të Kosovës. Ky vendim nuk ishte i lehtë, por i detyrueshëm pasi që nuk arrijtëm të gjejmë një zgjidhjë të përbashkët me Federatën.”

Në fjalët e tij, Maliqi tregoi mirënjohje të thellë për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kryetarin e saj për mundësinë e dhënë:
“Dua të falënderoj nga zemra Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kryetarin për besimin dhe mundësinë që më dhanë të udhëheq këtë grup të mrekullueshëm.”

Ai vlerësoi lojtarët, të cilët i cilësoi si frymëzim të përditshëm, si dhe prindërit e tyre për mbështetjen e vazhdueshme:

“Lojtarët ishin frymëzim i përditshëm për mua, dhe prindërit e tyre, që ishin gjithmonë mbështetës, janë një shtyllë e rëndësishme e suksesit të tyre.”

Një falënderim i veçantë iu dedikua tifozëve të zjarrtë, “Dardanëve,” të cilët ishin pranë ekipit në çdo sfidë:
“Një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë të zjarrtë, ‘Dardanët,’ të cilët na qëndruan pranë në çdo sekondë dhe nuk reshtën së na dhëni forcë.”

Në përmbyllje të postimit, Maliqi shprehu krenarinë për sukseset e arritura, duke theksuar rëndësinë e punës dhe bashkëpunimit:
“Krenohem me sukseset që kemi arritur së bashku, suksese që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u realizuar, veçanërisht kur përballesh me sfida të shumta. Por, pavarësisht çdo pengese, arritëm të tregojmë se puna, përkushtimi dhe bashkëpunimi janë çelësi i suksesit.”

Dorëheqja e Adil Maliqit përfaqëson një humbje të madhe për Kombëtaren U19, pasi ai ishte një udhëheqës që arriti të frymëzojë lojtarët dhe të tejkalojë pritshmëritë, pavarësisht sfidave.

You Might Also Like