Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, është mirëpritur në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” nga drejtori Bekim Mustafa dhe zëvëndësdrejtori Agim Asllani.
Ambasadori turk, që ka qëndruar në Gjilan gjatë kësaj të marte, nga drejtori Bekim Mustafa, është njoftuar me procesin mësimor në këtë shkollë, në të cilën pos në gjuhën shqipe mësimi zhvillohet edhe në gjuhën turke. Mustafa ka thënë se Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” është shkollë elitare në Kosovë dhe se gjithnjë ka arritur suksese të mëdha, sikurse që ka thënë se edhe paralelet me mësim në gjuhën turke gjithnjë kanë nxjerrë nxënës të mirë, të cilët kanë vazhduar studimet në Kosovë, në Turqi e vende të tjera. Mustafa, ka shpalosur nevojat që ka kjo shkollë, kompletimin e kabineteve ekzistuese dhe atyre të rejave, ka dhënë shënimet për paralelet me mësim në gjuhën turke.
Edhe Agim Asllani, zëvendësdrejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka folur për të arriturat e kësaj shkolle, sikurse që ka shtuar se kuadri i profesorëve me mësim në gjuhën turke është i mirë, janë punëtorë e të përpiktë, derisa edhe kushtet janë të mira dhe shkolla po mundohet që edhe këtyre nxënësve t’u krijojë kushte me qëllim që të kenë të arritura sa më të mëdha. Asllani tha se shkolla ka laboratorin e fizikës, të kimisë e të biologjisë, mandaj ato të informatikës dhe ka kushte solide për punë.
Orhan Sait, mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërisë Turke, ka thënë se në tri paralele me mësim në gjuhën turke ka 13 nxënës se bashkëpunimi me udhëjheqjen e shkollës e mësimdhënësit është i shkëlqyeshëm dhe se kjuo shkollë ka nevojë që të plotësohet edhe më shumë me mjete të konkretizimit.
Nga ana e tij, Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, ka shprehur interesimin e tij që cilësia në këtë shkollë të rritet edhe më shumë, me vëmendje ka ndëgjuar nevojat dhe kërkesat që kanë paraqitur drejtoria e shkollës dhe mësimdhënësit e pranishëm, sikurse që ka thënë se të gjitha nevojat e paraqitura do t’u përcjellë institucioneve gjegjëse, sikurse që ka kërkuar projektet që janë bërë deri më tashti të realizohen.
“Jam shumë i lumtur që keni nxënës të mirë, që në këtë shkollë mësimi zhvillohet në shqip e në turqisht e ne Ambasada e Turqisë jemi të gatshmë të thellojmë bashkëpunimin, gjithnjë në të mirë dhe në interes të nxënësve”, ka thënë Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili.