OPINION

Apel për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor dhe miratim të Ligjit për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta

Valentina Bunjaku – Rexhepi

Në Kosovë, për shumë vjet me radhë, para ditës së parë të fillimit të vitit të ri shkollor, ose paralajmërohen greva, ose bëhen njoftime për vonesa të fillimit të procesit mësimor për arsye nga më të ndryshmet. Si deputete e Kuvendit të Kosovës, i bëj thirrje direkte Ministrit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqit, të bën përpjekjet maksimale me të gjithë zyrtarët e tjerë, që viti i ri shkollor të fillojë mbarë që nga ora e parë mësimore e muajit shtator. Apeloj po ashtu të gjithë, për të plotësuar kërkesën e drejtë të SBASHK-ut për miratimin e Ligjit për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta, sepse në të kundërtën, mund të ketë me të drejtë greva nga mësimdhënësit dhe më së shumti po e pësojnë nxënësit tanë. Shtatori dhe viti i ri shkollor po vjen, prandaj le të punojmë të gjithë, e veçanërisht MASHT, që të fillojë viti i ri mbarë, pa pengesa e vonesa! Me këtë rast, shprehu edhe brengën e nxënësve dhe të personelit mësimor në Kishnicë, pas një reportazhi në RTV 21, ku tregohet se po vonohet funksionalizimi i shkollës së re, dhe krejt kjo si pasojë nga papërgjegjësia institucionale kosovare! Dhe në fund dhe më e rëndësishmja, ftoj kolegët deputetë, që sapo të kthehen nga pushimet dhe të fillojnë seancat e Kuvendit, ndër të parat ligje, ta miratojnë Ligjin për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta! Vota ime është publike për këtë: Pro Ligjit për mësimdhënësit që kontribuan aq shumë në vitet e ’90-ta dhe për një fillim pa asnjë ditë vonese të vitit të ri parauniversitar!

You Might Also Like