Këtë të enjte, më 12 dhjetor, Asambleja Komunale e Gjilanit do të mbajë një mbledhje urgjente, e cila ka për qëllim që të miratohen dy pika kyçe për Komunën e Gjilanit: Rritja e buxhetit nga tejkalimi i realizimit të të hyrave të planifikuara nga viti 2023 dhe Projekt propozimi për Buxhetin e vitit 2025 dhe vlerësimet për vitet 2026-2027.
Sipas Alban Hysenit, kryetar i Gjilanit, sidomos me rëndësi është aprovimi i pikës që ka të bëjë me Rritjen e buxhetit nga tejkalimi i realizimit të të hyrave të planifikuara nga viti 2023, ngase siç ka thënë ai, shpenzimi i këtyre mjeteve mund të bëhet deri më datën 24 të këtij muaji, ndryshe, këto mjete do të shkojnë në qendër dhe më pas do të shpërndahen nëpër njësi buxhetore. Ai ka thënë se me mosmiratimin e kësaj pike më së shumti do të humbnin qytetarët e Gjilanit dhe se asnjë nga subjektet politike nuk do të kishte përfitime, derisa sa i përket Projekt propozimit për Buxhetin e vitit 2025 dhe vlerësimet për vitet 2026-2027, komuna e Gjilanit është e vetmja në Kosovë që edhe më tej nuk e ka të miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm. /kryelajmi.com/.