Zakonisht, pergjegjësia për të folur para publikut për mua ka shumë rëndësi. Por, përgjegjësia, respekti dhe nderimi i veçantë nuk është për askënd tjetër se sa per juve. Kjo ndodh për shume arsye, por fakti kryesor është se ju jeni njerëzit më të devotshëm të kësaj toke.
Ju, secili në mënyrë të veçantë keni përballuar saktificën për atdheun, luftën dhe çdo dhimbje të saj.
Beteja juaj e lirisë e fituar me çmim të lartë sot na mban qëndrestarë në trungun e Kosovës. Edhe pse disa prej nesh ishim veç fëmijë në kohën e luftës ne u rritëm nga mësimet e përvojat e gjeneratave sakrifikuese për këtë vend.
Liria nuk personalizohet, por nuk ka ditë e të mos më del përpara figura e palëkundur e gjyshit tim prof. Muhamet Ternaves, i cili perveç shkencës për shqiptarët e mesjetës në Kosovë, me cka e hodhi poshtë cdo teori serbomadhe, kurrë nuk rreshti të na mesojë, se asgjë nuk është më e vlefshme se lufta për liri.
Më lejoni të ju them se çdo sakrificë, çdo vuajtje dhe çdo pikë gjak e derdhur janë gurët e themelit mbi të cilin ndërtohet shteti ynë i pavarur, sepse edhe Nelson Mandela ka thene: “Liria nuk është dhuratë, por një arritje që kërkon sakrificë dhe përkushtim.”
E ju jeni ata që e bëtë këtë arritje të mundur. Kjo është një trashëgimi që do të ruhet nga ne dhe do të kujtohet gjithmonë me frymëzim.
Ju e keni paguar çmimin më të madh dhe, për këtë, historia dhe ne do t’ju nderojmë gjithmonë!