Deklaratës së deputetitit të Kuvendit të Republikës, Ismajl Kurteshi, kinse kryetari Lutfi Haziri paska keqpërdorë ceremoninë e diplomimit të studentëve, i është kundërpërgjigjur Faton Bislimi, bartës i Listës së Lidhjes për Gjilanin, njëherit implementues i Fondit të Ekselencës.
“Në një reagim për ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së parë të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, ku ka folur edhe kryetari Lutfi Haziri, deputeti z. Ismajl Kurteshi paska akuzuar z. Haziri për “keqpërdorim” të kesaj ngjarje akademike.
Është mirë me ia rikujtu deputetit të nderuar që z. Haziri është aktualisht kryetar komune dhe jo vetëm kandidat për mandat të ri. Ai është zot shtëpie në Komunën tonë dhe ngjarja në fjalë s’do të kishte kuptimin e plotë sikur të mos ishte prezent kreu i Komunes dhe të mos i përshëndeste e uronte studentët e posadiplomuar.
Në fjalën e tij, kryetari Haziri nuk ka propaganduar asgjë pos që ka thënë të vërtetën në lidhje me atë që është bërë në Gjilan për studentët dhe për UKZ dhe me atë që do të bëhet tutje.
Komuna ka ndarë tokën për kampusin e ri dhe ka qenë gjithëherë përkrahëse e UKZ në projekte të ndryshme. Po ashtu, Komuna ka përkrahur dhe vazhdon të përkrahë projektet e ndryshme studentore e rinore në Gjilan, qoftë përmes subvencioneve e granteve e qoftë edhe përmes Fondit të Ekselences! Ne jemi të parët në Kosovë që në nivel lokal instaluam Fondin e Ekselencës si pergjigjen më adekuate të mundshme ndaj kërkesave dhe nevojave të talenteve tanë të rinje. Sepse ne besojmë ne ta dhe assesi nuk i shohim ata si monedhë kusuritje politike siç bëjnë disa të tjerë.
Andaj, është mirë që deputeti Kurteshi, në vend se të marrë rolin e zëdhënesit të bacit të vet, të marr mbi supe përgjegjësinë që populli ia ka dhënë si deputet dhe të bëhet zëdhënes i fuqishem i Gjilanit në Parlament për të kërkuar dhe përkrahur çështjen e ndërtimit të kampusit të ri universitar në Gjilan sa më parë.
Kryetari Haziri dhe Komuna kanë kryer punën e tyre, siç e ka ceke edhe z. Haziri në fjalimin e tij para studentëve dhe, tani është koha që edhe institucionet qendrore ta kryejnë pjesën e tyre. E, Komuna nën udhëheqjen e z. Haziri, do të vazhdojë të jetë kujdestare e parezervë e punëve të medha për Gjilanin siç është autostrada (edhepse për dikë as kjo nuk është e nevojshme!) edhe kampusi universitar (edhepse prap për dikë ky projekt mund të duket irreal!).
Ne jemi krenarë me punen akademike në Gjilan , edhe në nivel parauniversitar, dhe ndihemi të lumtur qe sado pak kemi përkrahur qytetarët tanë të rinjë që sot na e zbardhin fytyrën neve edhe gjithë Kosovës nëper universitetet më të njohura botërore (si Princeton University në SHBA e Kyoto University ne Japoni), e nëpër olimpiadat ndërkombetare e botërore (deri në Brazil)! Në vend të kritikës pa vend, deputeti Kurteshi dhe të tjerët sot do të duhej të ndiheshin krenarë me këto rezultate! Te qenurit mosmirënjohës ndaj të mirës së përbashkët nuk ta nderon zemren e as mendjen!
Kurse për studentet që diplomuan të premten, përgëzimet më të sinqerta! Ata janë shpresa e vendit, besa e dhënë për të ardhmen. Me ta dhe për ta, besëlidhjen tonë për Gjilanin dhe Kosovën e kthejmë në besëlidhje të zhvillimit për të gjithë! Edhe Gjilani edhe Kosova është e të gjithëve që jetojnë këtu dhe e njohin Republikën e Kosovës si atdhe të vetin; në nuk politizojmë me studentët. Ne punojme per ta dhe me ta për të nesërmen që duhet ta ndërtojmë për gjeneratën e re!”, thuhet në reagimin e Faton Bislimit.