Bleron Mulliqi nënshkruan me klubin zviceran SC Kriens
Mbrojtësi me origjinë nga Kosova, Bleron Mulliqi, ka nisur një kapitull të ri në futbollin zviceran duke u zyrtarizuar si përforcimi më i ri i SC Kriens. Shtatlarti 23-vjeçar, i cili spikat me gjatësinë e tij prej 1.95 metrash, shihet si një vlerë e shtuar për ekipin falë aftësisë për t’u përshtatur në disa role, duke ofruar siguri maksimale si në qendër të prapavijës, ashtu edhe në rolin e mesfushorit shkatërrues. Ky transferim vjen pas një periudhe shumë të mirë që lojtari kaloi me fanellën e SC Brühl, ku në 15 takime arriti të lërë gjurmë edhe në fazën ofensive duke shënuar dy herë dhe dhuruar tri asistime.
Pavarësisht moshës së re, karriera e Mulliqit është e pasur me eksperiencë të vlefshme.
Ai ka regjistruar plot 89 paraqitje në Promotion League, ndërsa më parë ka qenë një shtyllë e rëndësishme për FC Bulle me 46 ndeshje të zhvilluara. Një nga pikat kulminante të karrierës së tij të deritanishme mbetet sezoni 2024, kur ishte pjesë e rëndësishme e suksesit të Étoile Carouge, duke ndihmuar skuadrën të siguronte biletën për në Challenge League. Cilësitë e tij janë vënë re herët, teksa mbrojtësi i lindur në Gjenevë ka përfaqësuar më parë edhe Kombëtaren e Kosovës për grupmoshat U-19.
Gjatë kësaj merkatoje, paraqitjet e tij bindëse sollën një valë të madhe interesimi. Përveç ofertave joshëse nga skuadra të ndryshme në Zvicër dhe jashtë saj, në garë për të siguruar shërbimet e tij ishin edhe klubet elitare të Superligës së Kosovës. Megjithatë, Mulliqi zgjodhi t’i besojë projektit të SC Kriens për të vazhduar ngritjen e tij.
Për këtë transferim, drejtori sportiv i SC Kriens, Yves Jöhl, u shpreh tejet i kënaqur duke theksuar: “Bleroni ka dëshmuar si te Bulle, ashtu edhe së fundmi te Brühl, se është një lojtar shumë konstant dhe i besueshëm. Përveç gjatësisë dhe pranisë së tij fizike, vlerësoj veçanërisht forcën e tij në duele dhe aftësitë e larta teknike.”
I po të njëjtit entuziazëm ishte edhe vetë futbollisti. Pas zyrtarizimit, Mulliqi deklaroi: “Jam i lumtur me këtë transferim. Kriens është një ekip i madh, dhe do të jap më të mirën nga vetja për të arritur suksese të mëdha me klubin.”



