ARSIMI

Çdo arritje e nxënësve është një shenjë e misionit tim të përmbushur dhe një shpërblim i vërtetë për gjithë mundin dhe përkushtimin që kam dhënë për ta

Shkruan: Arta Haziri – Nuhiu

Puna ime në arsim ka qenë dhe do të mbetet një mision i shenjtë, që ka kërkuar përkushtim dhe dashuri të thellë për muzikën dhe zhvillimin e brezave të rinj. Si mësuese e artit muzikor për 19 vite, kam pasur privilegjin të jem pjesë e jetës dhe zhvillimit të shumë brezave nxënësish, të cilët kanë shfaqur talentin e tyre dhe kanë shënuar arritje të mëdha në fushën e muzikës. Gjatë këtij rrugëtimi, kam pasur mundësinë të udhëhoq grupet e nxënësve në aktivitete dhe konkurse të ndryshme muzikore, duke parë si ata rriten dhe zhvillohen, jo vetëm si muzikantë, por edhe si individë të përgjegjshëm, të disiplinuar dhe të pasionuar pas artit. Ka pasur shumë momente krenarie, kur kam parë se ata që kishin filluar si nxënës të thjeshtë, tani janë bërë muzikantë të njohur, dhe disa prej tyre kanë ndjekur karriera të suksesshme brenda dhe jashtë vendit. Për mua, nuk është thjesht një profesion, por një mundësi për të kontribuar në ndihmën e ndërtimit të karaktereve dhe identiteteve të rinjve, duke i udhëhequr ata në një rrugë që kalon përmes artit, harmonisë dhe shprehjes personale.

Çdo ditë që kaloj në shkollë është një mundësi për të përhapur dashurinë për muzikën dhe për t’i ndihmuar ata të kuptojnë fuqinë që ka ky art për të shprehur emocionet dhe idetë më të thella. Gjatë gjithë kësaj kohe, kam pasur privilegjin të punoj me kolegë dhe autoritete arsimore që kanë mbështetur dhe inkurajuar idetë dhe projektet e mia. Kjo ka bërë që të zhvilloj dhe përmirësoj mësimdhënien time vazhdimisht, duke përdorur metodat më të reja dhe më efikase për t’u përshtatur me nevojat e nxënësve. Në fund, çdo arritje e nxënësve, çdo sukses që ata arrijnë, është një shenjë e misionit tim të përmbushur dhe një shpërblim i vërtetë për gjithë mundin dhe përkushtimin që kam dhënë për ta. Puna ime ka qenë një udhëtim i paharrueshëm dhe i pasur me mësime dhe emocione, dhe jam krenare që kam kontribuar në edukimin e shumë brezave të rinj. Gëzuar 7 Marsin !

You Might Also Like