Libri

Del në dritë libri “Muslimani Bashkëkohës” i Hfz. Ef. Avni Aliut

Në një ceremoni të veçantë të mbajtur në sallën e teatrit të qytetit të Gjilanit, në praninë e shumë mysafirëve nga Kosova dhe Lugina e Preshevës, Këshilli i Bashkësisë Islame i Gjilanit botoi librin e titulluar “Muslimani Bashkëkohës” të autorit Hfz. Ef. Avni Aliu.

Ky botim përmban dorëshkrime të përmbledhura me përkushtim nga familja e Hafizit pas ndarjes së tij nga jeta në vitin 2011. Me mbështetjen e Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, ky libër, që trajton tema me domethënie të thellë për etikën, besimin dhe jetën njerëzore nga perspektiva islame, është publikuar për të shërbyer si burim për brezat e ardhshëm.

Hfz. Ef. Avni Aliu lindi në fshatin Tërrnoc, por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Gjilan. Si imam i devotshëm dhe i respektuar, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në fushën fetare, por edhe në mbrojtjen e të drejtave kombëtare e shoqërore të shqiptarëve, sidomos gjatë periudhave të vështira të okupimit serb. Përmes rolit të tij si udhëheqës fetar, Hafizi ndërthurte besimin islam me kauzën kombëtare, duke u bërë një shembull i përkryer i përkushtimit dhe unitetit.

Libri “Muslimani Bashkëkohës” ndahet në tri kapituj kryesorë:

– Besimi Islam – Përqendrohet në thelbin e besimit dhe rëndësinë e tij në jetën e njeriut.

– Etika Islame – Thekson rëndësinë e etikës dhe përgjegjësisë njerëzore sipas parimeve islame.

– Hytbe dhe Ligjërime – Përfshin tema të rëndësishme si agjërimi, Ramazani, rëndësia e Natës së Kadrit, dhikri dhe shumë të tjera.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Gjilanit, Ef. Naim Aliu, vlerësoi lart veprimtarinë e Hafiz Avniut dhe rëndësinë e këtij botimi, duke theksuar: “Hafiz Avni Aliu ka treguar se imamët kanë një detyrë të trefishtë: të jenë edukatorë shpirtërorë, udhëheqës shoqërorë dhe mbrojtës të të drejtave të xhematit të tyre dhe të popullit në përgjithësi. Ai ishte një shembull i përkryer, duke bërë që shembulli i tij të ndiqet nga të gjithë ata që marrin mbi supe barrën e udhëheqjes fetare.

” Botimi i librit “Muslimani Bashkëkohës” është një akt mirënjohjeje dhe respekti ndaj veprës dhe trashëgimisë së Hfz. Ef. Avni Aliut. Në fund të ceremonisë, pjesëmarrësit i lutën Allahut që t’i japë rahmet të pafund dhe ta shpërblejë me xhenetin më të lartë. Amin!

You Might Also Like