Libri

DESHIFROHEN FITUESIT E KONKURSIT ANONIM LETRAR ” FLAKA E JANARIT” 2019

Dje, në orët e vona të pasditës në Gjilan, në orën e madhe letrare “PENA E FLAKËS”, në kuadër të Manifestimit Kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit” 2019, Juria profesionale e konkursit anonim letrar, në përbërje, Agron Tufa, Linditë Ramushi Dushku dhe Emin Azemi, i bëri të ditura rezultatet e krijimeve të arritura në Prozë të shkurtër si dhe në poezi.
Agron Tufa, në emër të jurisë bëri të ditur se: Në poezi: Shpërblimi i parë i jepet poezisë: “Me knue me zojtë e malit”, shifra:“Arushat kërcejnë me def” Shpërblimi i dytë poezisë: “Teli i këputur i lahutës”, shifra: “Fluturimi i shqiponjës” Shpërblimi i tretë poezisë: “Kur ngarkoj vedin në çantën e shpinës”, shifra: “Lulebora” Në prozë: Shpërblimi i parë i jepet tregimit: “Vija e gjakut”, pa shifër Shpërblimi i dytë: “Lëngu i shpirtit”, shifra: “Ora e dielli” Shpërblimi i tretë: “Kërmijtë e vjeshtës”, shifra: “Ligatina”
Gjatë ditës së sotme, janë deshifruar të gjitha krijimet e shpërblyera.
Poeti dhe publicisti nga Prishtina, Fadil Lepaja, del të jetë fitues i vendit të parë dhe i vendit të dytë për poezi.
Ndërsa, fituese e vendit të tretë për poezi, doli të jetë, poetja nga Shkodra, që jeton prej vitesh në Tiranë, Rozafë Shpuza, e cila, gjithashtu në konkurimin e hapur në Orën e madhe letrare, me votat e vetë poetëve ( rrethi i dytë ) u shpall fituese e Çmimit “Pena e Flakës”.
Në tregim të shkurtër, fitues i vendit të parë, doli të jetë shkrimtari fierak që jeton në Tiranë, Odise Plaku, fitues i vendit të dytë, Linditë Doda nga Burreli, kurse vendin e tretë e zuri shkrimtari ferizajas, Afrim Demiri.
E njëjta Juri, propozoi për botim edhe disa nga poezitë si dhe nga tregimet e këtij konkursi, i cili u cilësua si mjaft i suksesshëm.

You Might Also Like