Garë e fortë do të zhvillohet për Asamblenë Komunale të Gjilanit, në zgjedhjet që do të mbahen në tetor të kërij viti. E veçantë e kësaj gare është se në të do të marrin shumë kandidatë me moshë të re dhe kjo vërehet nga prezantimet e tyre që bëhen për cdo ditë.
Një ndër to është edhe Doruntina Hasani nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, e cila është juriste e diplomuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” – Qendra në Gjilan, me notë mesatare 9.82.
Doruntina vazhdon studimet Master për Kontrata dhe te Drejtën Komerciale në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
“Kam filluar punën profesionale si Zyrtare Ligjore menjëherë pas diplomimit, fillimisht në zyre përmbarimore, për të kaluar me pas angazhimin në dy kompani prodhuese në Gjilan, në njërën prej të cilave akoma punoj njëherazi me ushtrimin e pozitës së Këshilltares Politike për Çështje Ligjore ne Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal”, thekson Doruntina që ka përfunduar provimin e Jurisprudencës dhe ka përfaqësuar suksesshëm persona fizikë dhe juridikë, pranë Gjykatave dhe institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës. Ajo është pjesë e grupit punues për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe projektligjit për Sistemin e Menaxhimit të Performancës dhe Grantit të bazuar ne performancë.
“Ne kuptim të studimeve dhe punës profesionale, jam veçanërisht e fokusuar në politikat dhe legjislacionin për qeverisje lokale dhe të drejtën komerciale në përgjithësi”, thekson Doruntina Hasani, kandidate për këshilltare komunale në Gjilan nga Lëvizja Vetëvendosje.