Drita ka patur një udhëtim të vështirë këtë të shtunë në Podujevë, ku është përballur me Arbërinë e Dobrajës, ekip ky që po lufton me mish e me shpirt për mbijetesë.
Ekipi kuq e zi nga Dobraja e nisi furishëm takimin, duke shënuar gol shumë herët kur në minutën 23 Dior Zabërxha qëlloi me të djathtën e topi i devijuar nga një mbrojtës i Dritës e ka tradhtuar Faton Malokun dhe është futur në rrjetë.
Vendasit nuk i janë gëzuar gjatë golit të shënuar, ngase menjëherë në minutën 25, Festim Alidema ka gjuajtur nga largësia dhe ka qëlluar këndin e poshtëm të djathtë të portës vendase për të barazuar rezultatin në 1:1.
Nuk ka shkuar shumë kohë dhe Drita ka shënuar edhe njëherë, sërish nga largësia. Esosa Priestley Irogue ka dhënë një gjuajtje nga largësia, duke qëlluar këndin e poshtëm të djathtë për 1:2. Krejt kjo ndodhi në minutën 35, kurse i njëjti lojtar, dy minuta më pas pati një mundësi të artë për të shënuar edhe golin e dytë, por nga një pozitë ideale ka dështuar. Në minutën 39, Drita fitoi një penalti, pasi që në bendi me dorë luajti Lika. Gjuajtjen e Erjon Vucajt e priti portieri vendas Thaçi.
Drita ka shënuar edhe në pjëslojën e dytë nëpërmjet Betim Haxhimusës në minutën 63, gol ky që doli të ishte i fundit, me të cilin Drita fitoi tri pikë të vlefshme në luftën për titull të kampionit.