Futboll

Drita e Llapi ndahen në paqe

Pas fitores ndaj Niklit në xhiron e parë, Drita nga Gjilani sot barazoi 0-0 ndaj Llapit në shtëpi.

Ndeshja mes Dritës dhe Llapit sot ishte mjaft interesante dhe e tensionuar. Vendimtar u tregua edhe VAR-i në dy raste, e në fund ishin plot 13 minuta shtesë, por pas gjithë atyre ngjarjeve, rrjetat nuk u prekën në asnjë moment dhe pikët mes skuadrave u ndanë.

Pjesa e parë ishte më e qetë, ndërkohë që e gjithë drama duket se ishte ruajtur për pjesën e dytë.

Siç dihet, që nga fillimi i këtij sezoni edhe në Kosovë po përdoret sistemi VAR, e sot ky sistem u tregua vendimtar në epilogun e ndeshjes.

Fillimisht VAR-i ia anuloi një karton të kuq gjyqtarit kryesor të takimit, i cili kishte vendosur ta përjashtonte Coricin e Llapit, e më pas përsëri VAR-i në minutën e 83’ ia anuloi golin e shënuar Llapit për shkak të një faulli në sulm.

Goli i anuluar bëri që Tahir Batatina i Llapit të ankohej vazhdimisht, e kjo i kushtoi atij me përjashtim nga pankina e Llapit. Ndërprerjet e shpeshta bënë që ndeshja të shtyhej plot 13 minuta, por as brenda tyre nuk u shënua dot ndonjë gol. Gjatë minutave shtesë, Bujar Idrizi i Llapit u përjashtua, por kjo nuk luajti rol në ecurinë e ndeshjes dhe kështu ndeshja përfundoi baraz.

Momentalisht, Drita pas dy ndeshjeve të para ka 4 pikë, kurse Llapit mbetet me 2.

You Might Also Like