Futboll

Drita mbanë hapin për kreun, thellon krizën e Prishtinës

Nuk ka fitore për Prishtinën në pjesën e dytë të stinorit në Superligë. As pas tri xhirosh skuadra e Ismet Munishit nuk ka gjetur rrugën e fitores, ndërsa bardhekaltërit nga kryeqyteti sot, përkundër se nisën mirë duelin ndaj rivalit të tyre Dritës, në fund panë veten të mposhtur nga gjilanasit kërkues, për përfundimtaren Prishtina 1-2 Drita [Miller Blesa 34 – Besnik Krasniqi 42pen., Blend Baftiu 47]. Ndeshja u luajt në Sami Kelmendi të Lipjanit.

Drita në fakt ka qenë më dominuese në ndeshje, ndërsa kishte tundur rrjetën e Ardit Nikës para se Prishtina të merrte epërsinë, mirëpo goli i Kastriot Selmanit u anulua për ofsajd.

Prishtina vs Drita

Përforcimi i ri i prishtinasve, Miller Blesa u dha avantazhin. Blesa kështu shënoi golin e parë të tij në Superligë. Por pas kësaj, Drita barazoi para se të shkohet në pushim, kur ishi i Prishtinës, Besnik Krasniqi shënoi penalltinë për Dritën për të cuar skuadrat në pushim me 1-1.

Posa nisi pjesa e dytë, Blend Baftiu i asistuar nga Almir Ajzeraj shënoi për avantazhin e Dritës, ndërsa pas golit, ndërrimet e Munishit në lojtarë, nuk dhanë rezultat, përkundër se pati rast të mirë Albin Prapashtica.

Drita Arsim Thaqit duroi deri në fund, për të fituar ndeshjen dhe për të vazhduar ndjekjen e Ballkanit lider, ndërsa gjilanasit regjistruan fitoren e dytë me radhë nga tri ndeshjet pranverore.

You Might Also Like