Dy ekipe në formë të mirë, Ferizaj dhe Drita, janë përballur këtë të diele në Stadiumin me bari sintetik në Ferizaj, në një ndeshje në të cilën Ferizaj po Lufton për t’i ikur fundit të tabelës e Drita për të marrë kreun.
Maloku i Ferizajt ka rrezikuar i pari në minutën e pestë, por portieri Maloku e dërgoi topin mbi portë. Në minutën 17, Imamoviq për pak sa nuk shënoi autogol, por topin e ndali Jovanovski. Në këtë situatë është shikuar sistemi VAR për të parë se a e kishte kaluar topi vijën, por pas rishikimit u duk se gjithçka ishte në rregull.
Të dy ekipet po luanin me mjaft kujdes në mesin e fushës, duke u munduar të mos gabojnë dhe me një ritëm të tillë luajtën deri në fund të pjesës së parë, e cila u mbyll pa gola 0:0.
Ferizaj në rastin e parë të mundshëm ka shënuar edhe atë nëpërmjet Betim Haxhimusës, i cili sapo ishte futur në lojë. Kurtaj që ka shpërthyer nga e djathta, ka harkuar në anën e kundërt për Haxhimusën, i cili e futi topin në rrjetë, por që nuk festoi, ngase më herët kishte qenë lojtar i Dritës.
Në minutën 67 për Dritën u dha penalti pas ndërhyrjes së Imamoviq në Manajn. Besnik Krasniqi qëlloi nga pika e bardhë dhe qëlloi këndin e epërm të djathtë të portës, aty ku u hodh edhe portieri Jovanovski, por që ishte i shkurtër dhe rezultati u barazua në 1:1.
Pas shënimit të golit të parë, Drita mori hov edhe më tepër, ngase pas një harkimi të Besnik Krasniqit, në brendi më së miri u gjet Bejtullai dhe e solli Dritën në epërsi me 2:1. Në minutën 79, pas harkimit të Ajzerajt nga e majta, Blerim Krasniqi u shkëput më së larti, por topi e qëlloi shtyllën e majtë të portës vendase. Në minutën e dytë shtesë pas një kundërsulmi të shpejtë të Dritës, Blerim Krasniqi ishte i vetmuar, por gjuajti mbi portë./kryelajmi.com/.