Familja e të riut Debatik Huruglica, i cili ditë më parë kishte humbur jetë në një aksident trafiku, e ka falur familjen e personit tjetër të përfshirë në këtë aksident të rëndë.
Një veprim i tillë i madh ka ndodhur në ditën e parë të Ramazanit.
Aksidenti kishte ndodhur me datën 10 prill në Gjilan, kur i riu Debatik Huruglica nga Gjilani është përplasur në një veturë e cila po kthehej nga rruga kryesore për t’u futur në një rrugë anësore. Ai teksa po ngiste motorin e tij, ishte përplasur për tokë nga një makinë,dhe fatkeqësisht nuk kishte arritur t’i përballonte plagëve të marra në këtë aksident të rëndë trafiku i cili kishte tronditur jo vetëm familjen e tij por edhe tërë Gjilanin.
Në ditën e parë të muajit të Ramazanit dy familjet janë parë bashkë. Familja Huruglica në ditën e parë të muajit të shenjtë Ramazan, në prani të prijësve fetarë i ka falur gjakun familjes së personit nga Ferizaj, i cili e shkaktoi këtë aksident, duke dëshmuar kështu se është kjo një familje me zemër të madhe.