Muzikë

Flautistja Entela Demi, pjesëmarrëse në ngjarjet e mëdha muzikore

Është e re në moshë, por ajo ka bërë emër në skenën muzikore kosovare dhe jashtë saj. Me një talent të veçantë, Entela Demi, që në fëmijëri ishte dashuruar me muzikën, sidomos me flautën, që ishte instrument i preferuar i saj e tashti, ajo është pjesëmarrëse në ngjarjet e mëdha muzikore, duke luajtur për mrekulli në këtë instrument.
Së fundi, Entela Demi ishte e ftuar në Gala Koncertin, i organizuar në 25- vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe si gjithëherë, paraqitja e saj ishte mbresëlënse. Ajo së bashku me kolegen e saj, Denila Dedushaj, që ka luajtur në piano, kanë shoqëruar solokëngëtaren Donika Rushiti, e cila ka kënduar këngën arbëreshe “Kopilje moj kopilje”, të aranzhauar nga Memli Kelemendi e të cilës një ngjyrë tejet të veçantë muzikore i ka dhënë flautistja gjilanase Entela Demi.
E lindur dhe rritur në një familje artistësh, Entela Demi talentin për art e ka trashëguar nga prindërit. Babai i saj Ali Demi është një aktor i njohur kosovar, që ka luajtur në shumë shfaqje, filma e performanca artistike, si dhe ka udhëhequr Teatrin e Gjilanit, por Entela kishte përzgjedhur një lloj tjetër të artit, atë muzikor.
Ajo drejtimin instrumental në flautë e ka përfunduar në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ndërsa studimet pasdiplomike – master i ka përfunduar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Ka koncertuar në orkestra dhe festivale të ndryshme të muzikës. Ndër to duhet veçuar Orkestrën e Filharmonisë së Tiranës, Festivalin DAM, pastaj Orkestrën e Esenit në Gjermani Wind Orchestra Essen, European Summer Music Academy dhe shumë të tjera.
Entela Demi është fituese e shumë çmimeve me karakter kombëtar e ndërkombëtar, siç janë: ArsKosova Music Competition, Pjetër Gaci si dhe çmime të tjera.
Tërë talentin e saj, ajo gjithnjë mëton ta përçojë tek gjeneratat e reja, andaj ajo vazhdon të punojë në Kolegjin AAB si ligjëruese e muzikës.
Entela Demi do t’i dhurojë muzikës kosovare edhe shumë vepra arti. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like