Gjilan

Gjenerali amerikan Timothy E. Orr nga shteti i Iowa në SHBA bashkëbisedon me nxënësit tanë

Gjenerali amerikan në pension, Timothy E. Orr, i shoqëruar nga nënkryetarja e komunës, Leonora Morina – Bunjaku, drejtori i Arsimit, Shpend Nuhiu, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bajram Isufi, ai i Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Bejtullah Osmani dhe bashkëpunëtorë të tij, i ka bërë një vizitë Gjimnazit Natyror ,,Xhavit Ahmeti”, ku ka bashkëbiseduar me nxënës të kësaj shkolle dhe të Shkollës së Mesme Teknike ,,Mehmet Isai’’, shkruan kryelajmi.com

Fillimisht, Shpend Nuhiu, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, ka thënë se Kosova dhe shteti i Iowa në SHBA kanë një bashkëpunim dhe partneritet të ngushtë, bashkëpunim të cilin e ka edhe qyteti i Gjilanit. Siç ka theksuar Nuhiu ky bashkëpunim përpos mes partneritetit të Gjilanit me qytete të Iowas mund të thellohet edhe në arsim, andaj kjo është arsyeja që miqtë nga SHBA-ta kanë ardhur të bashkëbisedojnë me nxënësit tanë.

Edhe nënkryetarja e komunës së Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku, ka theksuar se është kjo një mundësi e mirë që nxënësit të plotësojnë ëndrrat e tyre për të vizituar SHBA-të, por edhe për të studiuar në SHBA, ku ofrohen programe të mira. Nënkryetarja e komunës i ka inkurajuar nxënësit që të mos hezitojnë, por që të marrin dije sa më tepër dhe më pas tërë atë ta vejnë në shërbim të rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të vendit.

Gjenerali në pension, Timothy E. Orr, ka thënë se pasi ka përfunduar misionin e tij si ushtarak profesionist, tashti drejtues i Organizatës ,,The Orr Group, LLC’’ është i angazhuar shumë në bashkëpunimin në mes të shtetit të Kosovës dhe Iowës. Ai tha se këto dy vende kanë bashkëpunim në sferën e sigurisë, ushtrisë, arsimit, komunitetit dhe bashkëpunim të tjera. Sipas tij, deri më tashti nëntë qytete të Kosovës janë binjakëzuar me qytete amerikane dhe ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai tha se në vendin e tij ka shumë studentë  nga Kosova, në SHBA ka familje që pranojnë student, kurse janë bërë edhe shkëmbime të studentëve, të profesorëve, mandej bashkëpunimi në volejboll, xhudo e sporte të tjera.

,,Për ne edukimi është prioritet dhe në këtë sferë kemi bashkëpunim me shumë vende të botës’’, ka thënë gjenerali Orr.

Në pyetjet e nxënësve që ishin të shumta, gjenerali Orr ka theksuar se në Iowa është shumë e zhvilluar bujqësia, andaj edhe në këtë aspekt mund të bashkëpunohet shumë, ngase Kosova dhe Iowa kanë shumëçka të përbashkët. Nxënësit janë interesuar edhe për mënyrën e studimet në SHBA, programet që ofrohen atje, kushtet e studimit, për informatat se ku mund t’i gjejnë, për zgjerimin e bashkëpunimit, por edhe rreth mundësisë së ndërrimit të politikave, tashti kur në SHBA president i ri është zgjedhur Donad Trump.

Gjenerali Orr dhe bashkëpunëtorët e tij kanë thënë se SHBA ofron mundësi të mira studimi dhe se në Iowa ka njerëz të të gjitha komuniteteve e ngjyrave, vendi është tejet mikpritës dhe ka fakultete e shkolla në zë, të cilat ofrojnë arsimim cilësor e njohuritë që do t’i marrin nxënësit dhe studentët e Kosovës në SHBA më pas do të mund t’i zbatojnë në vendin e tyre. Ai tha se politikat e SHBA-së me Kosovën nuk do të ndryshojnë, ngase këto dy vende kanë miqësi të thellë e të kahmotshme.

Në emër të nxënësve dhe mësimdhënësve të Gjimnazit Natyror ‘’Xhavit Ahmeti,, drejtori Bekim Mustafa i ka falënderuar për vizitën e bërë në këtë institucion të dijes dhe ka theksuar se dyert e kësaj shkolle janë të hapur për çdo lloj bashkëpunimi./kryelajmi.com/.

You Might Also Like