Futboll

Gjilani e le pa kryetrajner Suharekën

Nuk ka duruar shumë Suhareka! Ekipi debutues në Superligë pas ndarjes me Shpëtim Duron i cili kishte çuar ekipin në fillim perfekt në elitë dhe e mbante lartë në tabelë, sot ka ndarë rrugët edhe me zëvendësuesin e tij, Qëndrim Kidën.

I ardhur si trajner me përvojë nga Superliga dhe rezultate të mira me Malishevën, Kidës nuk i eci fare me Suharekën dhe ekipi kryesisht pësoi rënie në tabelë për të qenë për momentin i gjashti, ndërsa fundjavën mund ta përfundojë në pozitë të shtatë!

“Faleminderit, Qendrim Kida!
FC Suhareka shpreh mirënjohjen më të thellë për trajnerin Qendrim Kida për përkushtimin, punën dhe pasionin që ka dhënë për ekipin tonë. Gjatë kohës së tij në krye të skuadrës, ai ka sjellë disiplinë, profesionalizëm dhe një frymë të fortë ekipore, duke lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë e klubit.
Pavarësisht sfidave dhe rezultateve, përkushtimi i tij ndaj ekipit ka qenë i padiskutueshëm. Ne e vlerësojmë çdo përpjekje dhe çdo moment të kaluar së bashku dhe i urojmë shumë suksese në rrugëtimin e tij të ardhshëm.
Faleminderit, Mister! FC Suhareka do të të jetë gjithmonë mirënjohëse!”
 — ka bërë të ditur FC Suhareka në njoftim, menjëherë pas humbjes nga Gjilani sot.

Nga katër ndeshjet e stinorit pranveror, Suhareka ka shkëuptur vetëm një pikë, nga Prishtina në “Fadil Vokrri”. Pas kësaj, ekipi pësoi tre humbje radhazi!

You Might Also Like