Me shtatë mungesa në fushë, Gjilani ka hyrë në ballafaqim me Flamurtarin e Prishtinës dhe ia ka dalë që të shënojë fitore minimale, edhe pse në bazë të rasteve në fushë, fitorja e ekipit vendas ka mundur të jetë më bindëse.
Përkundër mungesave, Gjilani ka pasur disa raste të mira në pjesën e parë, por nuk ia doli asnjërën t’a konkretizojë, kurse në pjesën e dytë, në minutën 65, pas një aksioni të organizuar mirë Zabërxha ka gjuajtur nga largësia, por portieri mysafir priti, duke dëbuar topin deri te zëvendësuesi Morina, i cili nuk gjuajti në portë, por gjeti Haxhimusën e vetmuar, i cili nga afërsia futi topin në rrjetë.
Disa aksione të njëpasnjëshme të Gjilanit nuk u realizuan dhe kjo për pak sa nuk iu hakmor, ngase në minutën 80 ekipi vendas mbeti me një lojtar më pak në fushë. Salih Kosumi është rrëzuar në brendi, kurse gjyqtari nuk dha penalti, por futi dorën në xhep dhe nxori kartonin e verdhë, që ishte i dyti për futbollistin e Gjilanit. Deri në fund Gjilani u mbrojt mirë dhe ia doli të arkëtojë tri pikë të vlefshme.