Futboll

Gjilani hap gjigant drejt Evropës

Ecuria prej 5 ndeshjeve pa humbje e Dukagjinit ka përfunduar sot, me klinasit që u mposhtën në ndeshjen e luajtur në udhëtim te Gjilani.

Takimi në fjalë përfundoi 2-0 (Mevlan Zeka 27’, 90+8’) për Gjilanin.

Pjesa e parë prodhoi disa raste për shënim, por vetëm një gol. Falë golit të Mevlan Zekës në minutën e 27’, Gjilani shkoi në pushim me epërsi 1-0.

Në pjesën e dytë, Dukagjini pati një gol të anuluar për shkak të pozitës jashtë loje (60’), ndërsa në anën tjetër për Gjilanin golit iu afrua Oltion Bilalli, gjuajtja e të cilit përfundoi në shtyllë në minutën e 67’.

Nga minuta e 82’ e tutje, Dukagjini luajti me një futbollist më pak në fushë, e kjo ia lehtësoi dukshëm Gjilanit gjërat. Krejt në fund të ndeshjes, Gjilani e gjeti edhe golin e dytë për përfundimtaren 2-0. Edhe goli i dytë u shënua nga sulmuesi Mevlan Zeka (90+8’).

Kështu, Gjilani vazhdon ta përforcojë pozitën e tretë në renditje, ndërkohë që është edhe në finale të Kupës, kurse Dukagjini për momentin është i pesti në renditje.

You Might Also Like