Për t’u marrë me ushtrime të fitnesit e të Boksit e Kickbox-it, duhet të kesh talent të madh e po ashtu edhe forcë të madhe për t’iu përballuar këtyre ushtrimeve tejet të vështira.
Për gjilanasin, Gramos Ibishi-Klaiqi, këto sfida janë të përballueshme me lehtësinë më të madhe, ndërsa Gramosi tani është një menaxher (trajner) i kalibrit të lartë për shumë dashamirë të ushtrimeve fizike të boksit e Kick Box-it. Gramosi tani 24- vjeçar, që nga mosha rinore ishte dashuruar në sportet luftarake dhe të rrezikshme duke filluar karrierën si boksier.
“Isha shumë i ri, inspirimi im ishin sportet luftarake e posaçërisht i kam përcjell ushtrimet e Komandove elitar nëpër tërë botën, për ushtrimet dhe jetën sfidante të tyre të cilën e kanë pasur gjatë karrierës së tyre në misione të ndryshme”, thekson Gramosi. Gramosi një sportist prej atleti, kishte shërbyer në Komandot e FSK-së, duke treguar përformansë të jashtëzakonshme, ku ishte certifikuar me medalje e certifikata të ndryshme.
“Puna ime në Forcat e Armatosura të Kosovës janë ditët më të lumtura të jetës sime. Aty kam takuar shumë shokë të shkëlqyer, por edhe instruktorë të mëdhenj si vendorë po ashtu edhe ndërkombëtarë. Kemi pasur sfida e ushtrime të jashtëzakonshme që vështirë është t’ju përballosh, por me punë disiplinë, vullnet e ushtrime, ia kemi arritur qëllimin. Me shumë dëshirë sa herë që më thërret atdheu jam i gatshëm të jap edhe jetën për popullin tim”. Gramosi për nga natyra është një sportist mjaft i urtë e i thjesht, kumunikativ dhe shumë i respektuar nga shumë shtresa të qytetarëve që e vizitojnë palestrën e imrovizuar të tij të cilën e ka pagëzuar “Commando-MMA ”.
“Ne punojmë për çdo ditë, pa dallim moshe e gjinie për humbje të peshës, për shtimin e peshës, për të formuar trupin, përgatitje kondicionale e po ashtu ne punojmë në formë grupore e individuale si dhe të arteve marciale MMA. Në klubin tonë parim i veçantë është dedikimi, motivimi e transformimi e mbi të gjitha sinqeriteti e siguria. Ne jemi për të gjitha shtresat e qytetarëve dhe i falënderoj nga zemra të gjithë ata që na kanë vizituar e na kanë bërë krenar dhe janë ndarë shumë të kënaqur me punën tonë profesionale”, bën të ditur instruktori Gramos Ibishi-Klaiqi.
Gramosi nuk e ka ndër mend të ndalet, ai ka një projekt ku pritet shumë shpejt të rrisë kapacitetin e tij. Në Palestrën e tij të improvizuar, qëndron ringu i hekurt i Kickbox-it dhe të gjitha veglat ushtrimore, po ashtu më shumë nostalgji Gramosi ruan si ‘sytë e ballit’ uniformat e Komandove të FSK-së, të cilat i kishte veshur duke arritur suksese të mrekullueshme. “Për një kohë të shkurt kemi në plan të zgjerohemi edhe më shumë – si për nga hapësira po ashtu do të sjellim veglat më bashkëkohore të ushtrimeve, pasi duam që çdo klient me punën tonë profesionale të arrijnë qëllimet e tyre, dhe do ju sugjeroja të gjithë fansave të cilët i duan ushtrimet le të ushtrojnë pasi do të kenë dobi të madhe shëndetësore”, ka porositur Gramosi. Puna në të cilën bëhet tek “Commando-MMA”, është mbresëlënëse si për nga kushtet po ashtu edhe nga profesionalzmi, ku të gjithë klientët gjerë më tani përpos që janë ndarë të kënaqur ata njëkohësisht kanë arritur objektivat e tyre jetësore.