Gjilan 2 gusht 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur në takim pune kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, me të cilin kanë biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në nivel komunal përmes programeve e projekteve të përbashkëta ndërkomunale në të mirë të qytetarëve të dy Komunave.
Kryetari Haziri ka thënë se “Takimi i sotëm ka qenë në kuadër të ofrimit të bashkëpunimit mes dy komunave, sepse kemi shumçka të përbashkët. Komuniteti ynë i dy komunave, kultura, sjellja etj janë si dy pika uji. Dëshiroj që bashkëpunimi Gjilan – Gostivar të thellohet edhe më shumë dhe pse jo që të kemi bashkëpunim të pushtetit lokal edhe jashtë regjionit tonë, duke e ndihmuar njëri – tjetrin për përfaqësim sa më të mirë”, ka thënë kryetari Haziri.
Kurse nga ana e tij kryetari Taravari, ka thënë se është kënaqësi e veçantë që të jetë në Gjilan te kryetari Haziri, që siç ka thënë ai mund të mësoj shumë gjëra nga një kryetar i cili në nivelin lokal tashmë ka përvoj për mandatin e katërt në krye të Gjilanit.
“Ne si Komunë së bashku me Gjilanin mund të bëjmë implementimin e projekteve të përbashkëta ndërkomunale. Raportet tona do të vazhdojnë të thellohen dhe të jenë edhe më me intensitet, përmes ideve, projekteve dhe bashkëpunimit ndërkomunal e ndërshtetror”, ka thënë mes tjerash kryetari i Gostivarit Taravari.