Gjilan, 23 shtator 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka vlerësuar lartë sot figurën e veprimtarit të çështjes kombëtare në mërgim, Ilir Mustafa, në akademinë përkujtimore, e cila është mbajtur sot në Genevë të Zvicrës, nën përkujdesjen e ish ambasadorit Naim Malaj.
“Unë jam krenar që e kam njohur dhe kam bashkëpunuar me këtë veprimtar për më shumë se dy dekada. Ai nuk është frikuar dhe nuk është ndalur asnjëherë në rezistencën e tij për liri, pavarësi e bashkim. Iliri, rrugën e tij të shkurtër e ka bërë të bujshme në ecjen e madhe të ngadalshme, por gjithmonë i buzëqeshur në rezistencën për liri, pavarësi dhe për shtet të përbashkët. Ai nuk është frikuar dhe nuk është ndalur asnjëherë”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri ka kujtuar faktin se ka qenë veprimtari Mustafa, i cili e ka bindur kryetarin e Komunës së Milhouse që në vitin 1996 të nënshkruaj partneritet me Komunën paralele të Gjilanit
“Iliri ka qenë në gjendje t’i bëjë mbi 1 mijë kilometra në ditë për një takim 10 minutësh në Francë, Gjermani dhe nëpër Europë, vetëm për t’i njoftuar dhe sensibilizuar për çështjen e Kosovës. Ai është është njeriu i parë që ka bindur kryetarin e Komunës së Milhouse që në vitin 1996 të nënshkruaj partneritet me Komunën paralele të Gjilanit dhe ky parneritet është formalizuar në vitin 2001. Përveç tjerash, Iliri ka qenë kumbar i integrimit të komunave të Kosovës në Këshillin e Europës”, është shprehur kryetari Haziri.
“Edhe sot është aktiv partneriteti me arsimtarët e gjuhës frënge mes Gjilanit dhe Komunës Lutterbach në regjionin e Strasburgut dhe me Komunën Milhouese. Shumë student janë shkolluar në Strasburg, e shumë u shëruan. Mbi të gjitha, Iliri e vulosi emrin e tij në historinë e Kosovës me punën e tij. Lavdi, miku im. Kujtimet për ty nuk do të shuhen”, ka shtuar Haziri.
Në këtë akademi përkujtimore kanë marrë pjesë edhe Terry Lambroz, kryetar i Verrnjerit dhe komunave të Genevës, sikur edhe Paskal Iber e Marin Vogl nga Komuna e Lutterbach. Përvec tyre, në akademi prezantuan edhe familja Mustafa, konsulli Ramadan Avdiu, Jan iv Carlen, Stev Duchen nga shoqata Kosova-Ansambël, miqtë dhe bashkëveprimtarët e tij.
Ndryshe, veprimtari i çështjes kombëtare në mërgim, Ilri Mustafa, ka ndërruar jetë më 4 prill 2017.